Tre persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën sot në një aksident të rëndë trafiku në Holandë, kur një makinë goditi një grup nxënësish që po bënin një ekskursion me biçikletë në shkollë, thanë autoritetet lokale.

Aksidenti ndodhi pranë fshatit Vogelwaarde, jo shumë larg kufirit me Belgjikën, në provincën jugore holandeze të Zeeland.

Sipas autoriteteve, makina u përplas me një grup prej 14 fëmijësh me biçikleta dhe dy shoqërues të rritur që po merrnin pjesë në një kamp shkollor.

Tre persona vdiqën në aksident, ndërsa katër fëmijë u plagosën rëndë dhe u dërguan me urgjencë në spital. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur moshat e fëmijëve të përfshirë në aksident.

“Një makinë pasagjerësh u përplas me një grup prej 14 fëmijësh me biçikleta dhe dy shoqërues gjatë një kampi shkollor”, thanë autoritetet lokale në një deklaratë.