Tur operatorët që operojnë në Durrës janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik për shkak të protestës që po mbahet në Tiranë dhe që sot futet në ditën e 13 të saj.

Nga sheshi qendror i qytetit, disa prej administratorëve të strukturave më të mëdha hoteliere në Durrës dhe Shkëmbin e Kavajës u shprehën se rezervimet kanë rënë në masën 20-40%, sidomos rezervimet që priteshin nga Gjermania dhe vendet skandinave.

Fatos Çerenishti, administrator i Hotel FAFA deklaroi se dy tur operatorët gjermanë DER Tour dhe Schauinslan po tregohen mjaft skeptikë për rezervimet, pavarësisht se deri më tani gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në rrethe nuk është regjistruar asnjë incident.

Ndërkohë, për kreun e shoqatës së turizmit Eduart Xhepa, sektori i turizmit është mjaft delikat dhe nëse protestat nuk do të ndalen rrezikohen rezervimet e muajit shtator dhe në vijim.

Sipas tur peratorëve, dështimi i sezonit veror do të ishte një goditje e fortë për administratorët e strukturave akomoduese, baret, restorantet, klubet e natës etj, pasi një pjesë e madhe e tyre janë me kredi dhe do të ndodheshin në vështirësi të konsiderueshme për pagimin e kësteve të kredisë dhe pagat e stafit.

Ata i kërkuan ministrisë së linjës të vendosë ura komunikimi me protestuesit për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit në vijim.

M.B.