Shoqata Kombëtare e Mundjes Shqiptare nderon legjendat
-Xhelil Cibaku bashkon brezat e kampionëve në jubileun e 80-vjetorit të mundjes durrsake
Nga BUJAR QESJA
Ka veprimtari, që organizohen për të respektuar një përvjetor dhe ka të tjera që kthehen në ngjarje historike. Festimet e 80-të vjetorit të ekipit të mundjes “Lokomotiva” dhe “Teuta” të Durrësit, ishin pikërisht të kësaj përmase. Manifestim madhor, dinjitoz dhe plot emocion, i organizuar me përkushtim nga Shoqata Kombëtare e Mundjes Shqiptare.
Në mjediset e qendrës tregtare “Blu Star”, u mblodhën kampionë, trajnerë, drejtues sportivë dhe dashamirës të mundjes nga e gjithë Shqipëria, për të nderuar jo vetëm 80-të vitet e lavdishme të ekipit durrsak, por edhe breza të tërë sportistësh që me djersë, sakrificë dhe përkushtim, i dhanë identitet dhe prestigj mundjes shqiptare.
Ky organizim, ishte shumë më tepër sesa një ceremoni dekorimesh. Ishte akt mirënjohjeje kombëtare për ata burra, që ngritën tapetin e mundjes në piedestal nderi, rikthim në kohën e artë të kampionëve dhe mesazh i fuqishëm për brezat e rinj, se vlerat e sportit nuk vjetërohen.
Merita e këtij bashkimi të rrallë, të figurave më të spikatura të mundjes shqiptare i takon në mënyrë të veçantë kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Mundjes Shqiptare, Xhelil Cibaku, emër i njohur i tapetit shqiptar, i cili në moshën 74-vjeçare vazhdon të mbetet një pasionant i palodhur, ruajtës i kujtesës sportive dhe promotor i vlerave më të mira të këtij sporti fisnik.
Tetëdhjetë vite më parë, në vitin 1946, në qytetin bregdetar hidheshin themelet e një prej shkollave më të rëndësishme të mundjes shqiptare. Emra si Luigj Shala, Hilmi Reka dhe Met Kryeziu, nisën një rrugëtim që do të shndërrohej në histori suksesi. Fillimisht nën emrin “Lokomotiva”, e pas vitit 1992, si “Teuta”, kjo skuadër u bë vatër kampionësh, edukatore brezash dhe simbol i sakrificës, disiplinës dhe dinjitetit sportiv.
Në tetë dekada ekzistencë, mundja durrsake ka nxjerrë kampionë kombëtarë, sportistë elitarë dhe personalitete, që kanë ngritur lart flamurin e qytetit dhe të Shqipërisë në arenat sportive. Sot, “Teuta” vazhdon të jetë ndër ekipet më të mira të vendit, duke dëshmuar se tradita e saj nuk është zbehur, por vijon të frymëzojë brezat e rinj.
Në një atmosferë të mbushur me emocion, Shoqata Kombëtare e Mundjes Shqiptare organizoi këtë veprimtari përkujtimore dhe vlerësuese, duke shprehur falënderimin për ish-kampionët Fuat Braho, Shkëlqim Troplini dhe Haki Deda, për ndihmesën e tyre në realizimin e këtij organizimi dinjitoz.
Përmes titujve “Medalje e Meritës Sportive”, “Nderi i Mundjes Shqiptare” dhe “Çertifikatë Mirënjohjeje”, u nderuan shumë prej figurave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij sporti.
Krahas emrave të shquar të Durrësit, u vlerësuan edhe mundës të ardhur nga ekipet tradicionale të “Partizanit”, “Vllaznisë”, “Tiranës”, “Tomorit”, “Kukësit”, “Dibrës”, “Dinamos” dhe qyteteve të tjera, duke e shndërruar këtë veprimtari në festë kombëtare të mundjes shqiptare.
U nderuan me medalje dhe mirënjohje:
Rexhep Bagoj, Fuat Braho, Shkëlqim Troplini, Skënder Balla, Seit Çorapi (pas vdekjes, medaljen e mori e bija, Myneverja), Rustem Gjergji, Met Rapçe, Bujar Sakja, Pal Pali (pas vdekjes), Shkëlqim Shyqyri Troplini (pas vdekjes), Roland Falli, Iliaz Guri babai i kampionit të botës Elis Guri, Sotiraq Kule nga Berati, Ibrahim Kovaçi nga Kukësi, Skënder Meka, Naim Skudrina, Met Kacuqi, vëllezërit Ilir dhe Paqsor Rugija, Marjan Rotani, Met Doçi, Glodjan Ahmetaj, Ymer Zeqiri, Fadil Kërtalla, Zija Kuka, Fatmir Vogli, Zija Zajmi, Lutfi Meçka, Sokol Sula, Asllan Lame dhe Tonin Dema nga Shkodra.
Ishin çaste prekëse, ku duartrokitjet nuk ishin thjeshtë mirësjellje, por shprehje respekti për njerëz që kanë sakrifikuar rininë e tyre në tapetin e mundjes, duke sjellë lavdi për klubet dhe qytetet që përfaqësonin.
Në këtë takim morën fjalën figura emblematike të sportit shqiptar, “Mjeshtri i Merituar”, “Mjeshtri i Madh” dhe krenaria e mundjes kombëtare Fuat Braho, kolosi i sporteve të rënda në Durrës, Rexhep Bagoj, ishshefi i klubit “Lokomotiva” dhe “Teuta”, Anesti Petani, si dhe shumë prej sportistëve të nderuar, të cilët sollën kujtime nga periudhat më lavdëruese të këtij sporti.
Të pranishmit ndoqën gjithashtu, një ekspozitë fotografike mjaft domethënëse, ku ishin paraqitur momente historike të mundësve durrsakë në kampionatet kombëtare, Kupat e Republikës, Spartakiadat Kombëtare dhe aktivitetet ndërkombëtare. Çdo fotografi ishte një faqe historie, çdo fytyrë kujtonte sakrifica, fitore dhe emocione të paharrueshme.
Nga momentet më të veçanta të këtij organzimi, ishte kërkesa publike drejtuar Bashkisë së Durrësit për të vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” tre figura të shquara të mundjes: Rexhep Bagoj, Fuat Braho dhe Shkëlqim Troplini. Propozimi u prit me duartrokitje të gjata dhe me miratimin e të gjithë të pranishmëve, si një detyrim moral ndaj njerëzve, që kanë nderuar qytetin në mënyrë të jashtëzakonshme.
Merita e këtij manifestimi të bukur sportiv, i takon pa diskutim pasionantit të palodhur, njeriut të përkushtuar dhe të papërkulur të mundjes shqiptare, kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Mundjes Shqiptare, Xhelil Cibaku. Me këmbënguljen dhe dashurinë e tij për sportin, ai arriti të bashkojë breza të tërë kampionësh, trajnerësh dhe drejtuesish në një ditë, që do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit sportiv.
Kjo veprimtari, nuk ishte vetëm një rikthim nostalgjik në kohën e artë të mundjes shqiptare. Mbetet mësim edhe për të rinjtë. Një kujtesë se lavdia ndërtohet me punë, djersë dhe karakter. Një dëshmi se qytetet bëhen të mëdha jo vetëm nga ndërtesat, por edhe nga njerëzit, që i japin identitet dhe krenari.
Tetëdhjetë vjet histori, janë pasuri e çmuar. Ato duhet të ruhen, të dokumentohen dhe të transmetohen brez pas brezi. Sepse emrat e kampionëve të djeshëm, janë frymëzim për kampionët e nesërm.
Dhe Durrësi ka arsye të jetë krenar.
Krenar për Teutën.
Krenar për kampionët e saj.
Krenar për njerëzit që e mbajtën gjallë këtë traditë madhështore.
Sepse historia e mundjes durrsake është histori e sportit shqiptar.
Dhe kjo histori meriton të kujtohet gjithmonë.
Durrës: 13 qershor 2026





