Në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës u çel ekspozita personale e piktorit Edmond Hysi, një nga emrat e njohur të artit pamor, i cili prezanton para publikut rreth 60 vepra në grafikë, mix media dhe akrilik. Ekspozita sjell një përmbledhje të krijimtarisë së artistit ndër vite, ku mbizotërojnë kompozimet abstrakte, monotipet, kolazhet dhe impresione të ndryshme artistike. Vetë autori u shpreh se ka zgjedhur të ekspozojë kryesisht punët e tij më të fundit, të realizuara përgjatë një rrugëtimi krijues prej tre dekadash.

Edmond Hysi, piktor: “Jam munduar të nxjerr punët e fundit. Është një punë e bërë në 30 vite rresht. Janë kryesisht abstrakte dhe impresione të ndryshme, një përzierje tematikash si monotipi dhe kolazhi. Më vjen mirë që galeria është rikthyer në kushte të favorshme për realizimin e ekspozitave të tilla.”

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin kolegë, artistë dhe dashamirës të artit, të cilët vlerësuan krijimtarinë dhe individualitetin e piktorit. Piktori Çaush Vathi e cilësoi Edmond Hysin si një “piktor të heshtur”, që ka ndërtuar ndër vite një gjuhë të veçantë artistike.

Çaush Vathi, piktor:E njoh Mondin prej shumë vitesh. Ka pasur talent dhe aftësi që herët, por nuk është ndier shumë dhe unë e quaja piktor i heshtur. Është ndër ekspozitat më të bukura që është hapur këtu. Ka një evolucion të veçantë, është shumë i ndjeshëm dhe një peizazhist shumë i mirë.”

Ndërsa piktorja Marjana Goxhabelliu vlerësoi identitetin artistik të autorit dhe mënyrën se si ai shpreh botën e tij të brendshme përmes veprave.

Marjana Goxhabelliu, piktore: “Mendoj se Edmond Hysi ka identitetin e tij artistik. E rëndësishme është që çdo artist të shfaqë botën e vet të brendshme dhe tek ai duket qartë një ekspresivitet mjaft i mirë.”

Ekspozita personale e Edmond Hysit do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me një krijimtari të pasur dhe një rrugëtim artistik 30-vjeçar.