Komiteti i Çështjeve Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Europian miratoi të martën euron dixhitale të shumëpritur, ndërsa BE-ja kërkon të zvogëlojë varësinë e saj nga sistemet e pagesave të kontrolluara nga SHBA-ja.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard përbëjnë 61% të pagesave me karta në zonën e euros dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me karta. Debati mbi sovranitetin financiar të Evropës ka fituar vrull mes tensioneve gjeopolitike në rritje dhe shqetësimeve rreth varësisë së bllokut nga infrastruktura e pagesave të huaja.
Sipas Euronews, Euroja dixhitale është një nga masat e paraqitura për të forcuar autonominë strategjike të Evropës. Do të ishte një formë dixhitale e parasë së bankës qendrore, e lëshuar dhe e mbështetur nga BQE-ja, e projektuar për të plotësuar paratë e gatshme dhe shërbimet ekzistuese bankare në vend që t’i zëvendësojë ato.
Sipas propozimit, konsumatorët do të jenë në gjendje të mbajnë euro dixhitale në një portofol të dedikuar, në varësi të një limiti mbajtës që ende nuk është përcaktuar. Sistemi do të mbështeste pagesat si online ashtu edhe offline dhe synon të ofrojë një shkallë të lartë privatësie, me BQE-në që nuk është në gjendje të identifikojë drejtpërdrejt përdoruesit nga të dhënat e tyre të pagesave.
BQE-ja do të sigurojë infrastrukturën bazë, ndërsa bankat tregtare dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do t’u ofrojnë klientëve shërbime dixhitale në euro. Institucionet financiare pritet të kompensohen për pjesëmarrjen e tyre në skemë, ndërsa tregtarët do të paguajnë tarifa që pritet të jenë më të ulëta se ato që lidhen me transaksionet aktuale me karta.
Mënyra se si duhet të strukturohet ky kompensim mbetet një nga çështjet më të diskutueshme përpara negociatave me shtetet anëtare të BE-së, sipas tre burimeve të njohura me diskutimet.
“Ne mirëpresim që Komiteti ECON i Parlamentit Europian ka rënë dakord për qëndrimin e tij mbi paketën e monedhës së vetme, e cila do të mbrojë paratë e gatshme të euros si mjet ligjor pagese, ndërkohë që do të formësojë edhe euron dixhitale”, tha BQE në një deklaratë.
Bashkimi Evropian nuk është i vetëm në zhvillimin e një monedhe dixhitale publike. Kina ka prezantuar tashmë juanin e saj dixhital, ndërsa Rusia ka njoftuar se rubla e saj dixhitale do të hyjë në funksion në shtator 2026.
Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur një qasje të ndryshme. Presidenti Donald Trump ka braktisur planet për një monedhë dixhitale të bankës qendrore të emetuar nga Rezerva Federale dhe në vend të kësaj ka mbështetur zhvillimin e stablecoin-eve – asete kripto të emetuara privatisht të dizajnuara për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme.
Meqenëse shumica dërrmuese e stablecoin-eve globale janë të denominuara në dollarë amerikanë, mbështetësit argumentojnë se teknologjia mund të përforcojë rolin ndërkombëtar të dollarit dhe të zgjerojë përdorimin e tij në pagesat ndërkufitare.
Megjithatë, disa politikëbërës dhe ish-zyrtarë besojnë se një monedhë dixhitale e bankës qendrore të SHBA-së mund të kthehet përfundimisht në axhendë. Parlamenti Evropian pritet të formalizojë qëndrimin e komitetit gjatë një votimi plenar në Strasburg në fillim të korrikut. Negociatat me 27 shtetet anëtare të BE-së do të fillonin më pas, me ligjvënësit që synojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare para fundit të vitit.





