Në çatinë e një grataçele në Dongguan, një zonë në veri të Shenzhenit, dhjetëra dronë me pesë helika presin radhën për të nisur fluturimin. Ata duken si “punëtorët e rinj” të shpërndarjes, njësoj si korrierët me motorë që shihen në qytetet europiane duke pritur para restoranteve.

Kur mbërrin një porosi, një kuti me çaj të ftohtë apo një pjatë me petë vendoset në dron dhe ai ngrihet menjëherë në ajër. Nuk ka pilot. Rruga përcaktohet nga një program kompjuterik.

Brenda pak sekondash ngrihet rreth 100 metra lartësi dhe drejtohet drejt adresës së klientit. Droni mund të arrijë shpejtësi deri në 90 km/orë, por kur transporton një pije apo ushqim që mund të derdhet, ngadalëson në rreth 36 km/orë.

Kjo është vetëm një pjesë e projektit të madh të Kinës: automatizimi i gjithçkaje, nga shpërndarja e ushqimeve deri te logjistika urbane, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja.

Eksperimenti ka nisur në Shenzhen, qytetin jugor ku Kina moderne filloi transformimin e saj ekonomik në vitin 1980.

Në pamje të parë, shpërndarja e ushqimeve brenda 15 minutash duket si një punë e thjeshtë. Por pas saj fshihet një betejë shumë më e madhe: Kina po përpiqet të krijojë industri të reja përpara pjesës tjetër të botës, duke financuar me shuma të mëdha kompanitë që eksperimentojnë me teknologjitë e së ardhmes.

Nëse këto teknologji arrijnë të përhapen, shumë vende mund të përballen me rrezikun që kompanitë kineze të marrin kontrollin e sektorëve të rinj strategjikë.

Në rastin e dronëve, projekti nuk drejtohet nga një startup i vogël, por nga gjiganti kinez Meituan, një kompani e listuar në bursën e Hong Kong-ut, me dhjetëra miliarda dollarë qarkullim dhe vlerë tregu. Ajo është një nga platformat më të mëdha të shpërndarjes në Kinë, e krahasueshme me Glovo ose Deliveroo në Europë.

Por ndryshimi është i madh: Meituan nuk përdor vetëm korrierë. Ajo ndërton vetë teknologjinë, zhvillon softuerët, prodhon sistemet autonome dhe investon miliarda në kërkim.

Që nga viti 2021, Meituan ka kryer pothuajse 1 milion shpërndarje me dronë në Shenzhen. Qyteti ka krijuar dhjetëra korridore ajrore për lëvizjen e tyre dhe pika të posaçme ku dronët ulin porositë.

Përveç dronëve fluturues, kompania po teston edhe automjete të vogla autonome në tokë që transportojnë paketat deri te dronët ose nga pika e uljes deri te dera e klientit. Në disa zona po vendosen edhe kulla speciale ku dronët mund të nisen dhe të ulen. Brenda tyre, një sistem automatik e merr paketën dhe e vendos në një kuti të mbyllur, ku klienti e hap vetëm me një kod personal.

Në të ardhmen, ideja është që dronët të mos ulen fare, por të qëndrojnë pezull pranë tokës dhe të dorëzojnë porositë direkt.

Por ka një problem të madh: teknologjia funksionon, por biznesi ende nuk del me fitim.

Dërgesat me dron shkurtojnë kohën me rreth 10-15% dhe zvogëlojnë trafikun, por kostoja është shumë më e lartë. Një dërgesë ajrore i kushton Meituan rreth pesë herë më shumë se një dërgesë me njeri, kryesisht për shkak të baterive dhe mirëmbajtjes.

Ndërkohë, fitimi për një porosi është shumë i ulët, zakonisht disa dhjetëra cent euro.