Jo vetëm nëntoka e Durrësit, por edhe sipërfaqja ujore e bregdetit të tij fsheh thesare të antikitetit. Për shkak se qyteti buzë Adriatikut ka pasur që në periudhën e perandorisë romake mjaft të zhvilluar detarinë dhe nga ana tjetër është përmbytur disa herë prej tërmeteve shkatërrimtare, nën sipërfaqen ujore gjenden ende rrënoja antike.
Floreta Kërtusha, specialiste e turizmit në bashki tregon se në qytet ndodhet Parku Arkeologjik Nënujor në zonën e Currilave, njohur si zona e Batllave si dhe në Kepin e Rodonit, pranë Kalasë së Sklndërbeut, në të cilat kryhen ekspedita kërkimore dhe shkencore, nga autoritetet e specializuara, por nuk lejohen zhytjet për qëllime turistike.
Jashtë zonave të mbrojtura, aktiviteti i zhytjes lejohet dhe po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.
Krahas kësaj, Durrësi ofron edhe guida lundrimi, një produkt turistik që po zhvillohet vit pas viti dhe që u jep vizitorëve mundësinë të eksplorojnë bregdetin dhe historinë e tij nga deti.
Thesaret e fshehura nën ujërat e Durrësit sipas specialistëve përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zgjerimin e ofertës turistike dhe tërheqjen e vizitorëve të interesuar për arkeologjinë, duke synuar zhvillimin e turizmit gjithë vjetor.
M.B.





