Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës vijon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e një prej botimeve më prestigjioze të Rumanisë. Në numrin më të fundit të gazetës kombëtare “Timpul”, e cila këtë vit shënon 150-vjetorin e themelimit, është publikuar një intervistë e gjerë me rektorin e UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, kushtuar rolit të arsimit të lartë si instrument i diplomacisë akademike dhe bashkëpunimit evropian.

Intervista, me titull “Bashkëpunimi akademik përfaqëson, shpesh, një formë efikase të diplomacisë”, vë në pah vizionin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës për një universitet modern, të hapur ndaj Evropës dhe të orientuar drejt kërkimit shkencor, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit.

Rektori Fortuzi thekson se universitetet nuk janë më vetëm institucione të transmetimit të dijes, por aktorë strategjikë në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendeve të tyre. Sipas tij, arsimi i lartë luan një rol kyç në ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare, në nxitjen e mobilitetit akademik dhe në krijimin e një kulture bashkëpunimi që tejkalon kufijtë.

Në intervistë evidentohet rrugëtimi i UAMD-së drejt integrimit të plotë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, përmes zgjerimit të rrjetit të partneriteteve me universitete dhe institucione kërkimore në Rumani dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Universiteti paraqitet si një institucion që investon vazhdimisht në cilësinë akademike, në kërkimin shkencor, në transformimin digjital dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Një vend të rëndësishëm në intervistë zë edhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Rumanisë, i cili sipas Prof. Dr. Fortuzit përbën një model të suksesshëm të diplomacisë akademike në rajon. Ai nënvizon se shkëmbimet akademike, projektet e përbashkëta dhe programet ndërkombëtare krijojnë ura të qëndrueshme mirëkuptimi dhe zhvillimi mes dy vendeve.

Publikimi në gazetën “Timpul”, një prej institucioneve më të vjetra të shtypit rumun, përbën një tjetër dëshmi të rritjes së reputacionit ndërkombëtar të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe të rolit që ai po merr si universitet evropian tejet dinjitoz, i angazhuar në promovimin e ekselencës akademike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe diplomacisë universitare.

Ky vlerësim në median kombëtare rumune përforcon më tej pozicionimin e UAMD-së si një institucion i arsimit të lartë që kontribuon aktivisht në ndërtimin e një hapësire të përbashkët evropiane të dijes, kërkimit dhe inovacionit.