Nga BUJAR QESJA

Vajza e një familjeje të nderuar durrsake

Ka njerëz që ikin nga kjo jetë dhe lënë pas dhimbje. Ka të tjerë që, përveç dhimbjes, lënë edhe boshllëk të madh në kujtesën dhe ndërgjegjen e qytetit. E tillë ishte doktoreshë Liljana Papakostandini (Olldashi), nga ato gra fisnike, që e jetoi jetën me përkushtim, me ndershmëri dhe me dashuri të pamatë për njerëzit.

Që në fëmijëri, u dallua për urtësinë, seriozitetin dhe natyrën e butë. Ishte vajzë e qeshur, e përmbajtur dhe e sjellshme. Fitonte respektin e njerëzve, pa e kërkuar atë. Familja e mësoi të jetonte me punë, me krenari dhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të tjerëve.

Në qytetet e vjetra, njerëzit nuk maten me pasurinë që kanë lënë, por me dashurinë dhe respektin që kanë fituar. Durrësi, ky qytet i detit dhe i kujtesës, di t’i ruajë njerëzit e mirë në albumin e tij shpirtëror. Dhe sot, një faqe e atij albumi është lagur nga lotët.

Është larguar nga jeta doktoreshë Liljana Papakostandini (Olldashi), grua që për dekada të tëra e jetoi profesionin e mjekes si mision dhe jo si detyrë, zonjë që dinte të qetësonte dhimbjen, të ngjallte shpresën dhe të falte buzëqeshje. Iku qetësisht, siç jetoi gjithmonë, pa zhurmë, pa kërkuar asgjë për veten, duke lënë pas një emër të pastër, një familje të mrekullueshme dhe një kujtim që nuk do të shuhet.

Kur largohet një mjek i mirë, mbyllet një derë e dijes. Kur largohet një nënë e përkushtuar, boshatiset një vatër. Kur largohet një grua e fisnikëruar nga puna dhe ndershmëria, qyteti bëhet disi më i varfër. Në qytetin tonë të lashtë, ku njerëzit njihen nga vlerat dhe nga angazhimet e tyre, emri i Liljana Papakostandinit, do të mbetet i shkruar me germa respekti.

Ajo lindi dhe u rrit në një familje të nderuar durrsake, bija e Jorgji Olldashit dhe e zonjës Aneta, njerëz të njohur për virtytet e tyre qytetare. Në familjen Olldashi, puna, arsimi dhe ndershmëria ishin themeli mbi të cilin u rritën fëmijët. Vëllezërit e saj, Vangjeli, inxhinier elektrik, Kristaqi, ushtarak tashmë i ndarë nga jeta, dhe Dhimitri, inxhinier mekanik, përbënin një familje të respektuar, ku Liljana ishte vajza e vetme dhe krenaria e shtëpisë.

Nga bankat e shkollës drejt misionit të jetës

Në shkollën tetëvjeçare “Dalip Tabaku” dhe më pas në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, Liljana tregoi se ishte e lindur për të ecur përpara. E etur për dije dhe me dashuri të veçantë për shkencën, zgjodhi rrugën më të vështirë dhe më humane, mjekësinë.

Studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, i përfundoi me sukses dhe nisi menjëherë rrugën e saj të gjatë në shërbim të shëndetit të njerëzve. Hapat e para profesionale i hodhi në Sukth, ku u emërua mjeke dhe fitoi shpejt respektin e banorëve për përkushtimin dhe profesionalizmin.

Emërimi në Sukth ishte prova e parë e madhe profesionale. Aty, në kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë, Liljana mësoi se mjekësia nuk është vetëm shkencë, por edhe zemër. Pacientët nuk kërkonin vetëm ilaçe. Ata kërkonin një fjalë të mirë, një shpresë, një buzëqeshje. Dhe ajo dinte t’ua jepte të gjitha. Ishte mjekja që nuk e shikonte orën, por fytyrën e njeriut që kishte përballë.

Në vitin 1981, përfundoi specializimin në fushën e sëmundjeve infektive në Tiranë dhe u emërua në Spitalin e Durrësit, duke marrë detyrën e shefes së patologjisë. Për shumë vite me radhë, nga viti 1985 deri në vitin 2001, ushtroi detyrën e mjekes infeksioniste, specialitet i vështirë dhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Pas specializimit në Tiranë për sëmundjet infektive, nis nga periudhat më të rëndësishme të jetës së saj profesionale. Për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, Spitali i Durrësit e pati në radhët e tij një mjeke të përkushtuar, të ditur dhe të palodhur.

Sa net pa gjumë, sa shqetësime, sa përgjegjësi! Por ajo nuk u lodh së shërbyeri. Në kujtesën e shumë durrsakëve, doktoreshë Liljana, do të mbetet mjekja që i priti me buzëqeshje dhe i përcolli me shpresë.

Sa e sa njerëz kanë kaluar në duart e saj! Sa e sa familje, e kanë bekuar emrin e doktoreshë Liljanës! Ajo nuk njihte orar, kur bëhej fjalë për shëndetin e pacientëve. Për të, profesioni i mjekut nuk ishte thjesht një detyrë shtetërore, ishte mision.

Drejtuesja që i dha fytyrë njerëzore administrimit shëndetësor

Më pas, përvojën dhe kulturën e saj profesionale i vuri në shërbim të drejtimit të institucioneve shëndetësore. Deri në vitin 2003 shërbeu si shefe e Poliklinikës së Durrësit, ndërsa më pas, deri në vitin 2005, drejtoi Shëndetin Parësor në Durrës.

Etapa e fundit e karrierës së saj ishte ajo e shefes së Epidemiologjisë në Autoritetin Portual të Durrësit, detyrë që e ushtroi me seriozitet dhe përgjegjësi deri në vitin 2014, kur doli në pension.

Në detyrat drejtuese, Liljana nuk ndryshoi . Nuk u bë burokrate. Mbeti mjeke. Mbeti njeri. Dinte të dëgjonte, të mirëkuptonte dhe të zgjidhte problemet me qetësi e mençuri.

Për kolegët ishte shembull i korrektësisë, ndërsa për qytetarët një derë gjithmonë e hapur. Ruajti thjeshtësinë, urtësinë dhe humanizmin. Për të, dera e zyrës ishte gjithmonë e hapur për kolegët dhe qytetarët.

Por pensioni nuk e largoi nga njerëzit. Mjeku i vërtetë mbetet mjek përjetë. Ajo vazhdoi të ishte pranë të afërmve, miqve dhe kujtdo që kishte nevojë për një këshillë, për një fjalë të ngrohtë apo për një mendim profesional.

Bashkëshortja dhe nëna që e ndërtoi lumturinë me përkushtim

Në vitin 1978, Liljana lidhi jetën me Mikel Papakostandinin, biokimist i njohur dhe pjesë e një familjeje të respektuar durrsake. Ishte martesë e ndërtuar mbi dashurinë, respektin dhe mirëkuptimin, bashkëudhëtim i bukur që solli në jetë dy fëmijë të mrekullueshëm.

Vajza e tyre, Xhoana, ndoqi rrugën e dijes dhe të kulturës, duke përfunduar studimet në Universitetin “La Sapienza” të Romës për filozofi dhe më pas specializimin për marrëdhënie ndërkombëtare.

Tani është emër i respektuar në diplomaci dhe shërben si konsulle e Republikës Italiane në Londër. Miqësia e saj e ngushtë me intelektualen dhe eruditen e njohur shqiptare, Lea Ypi, është dëshmi tjetër e formimit kulturor e intelektual.

Djali, Dejvi, ka ndërtuar jetën dhe profesionin në Portin e Durrësit, duke ruajtur po ato virtyte të familjes, ndershmërinë, korrektësinë dhe përkushtimin. Lumturia e Liljanës, shumëfishohej kur fliste për nipërit dhe mbesat e saj, për vazhdimësinë e familjes, për trashëgiminë e emrit dhe të vlerave.

Dhimbjet që ia rënduan shpirtin

Por jeta, ndonjëherë, i rezervon njeriut edhe sprova të rënda. Nga plagët më të mëdha shpirtërore për të, ishte ndarja e parakohshme nga jeta e nipit Sokol Olldashi, në vitin 2013. Ishte dhimbje që e tronditi thellë dhe që la gjurmë, në shpirtin e saj të ndjeshëm. Nga ajo kohë, gjendja shëndetësore nisi të rëndohej gradualisht.

Megjithatë, vazhdoi të përballonte gjithçka me krenari, me qetësi dhe forcë. Nuk ankohej. Nuk rëndonte askënd me dhimbjet e veta. Mbante mbi supe barrën e jetës me fisnikërinë e një zonje të vërtetë.

Lamtumirë që trishton Durrësin

Tani që duart e doktoreshë Liljanës, nuk do të prekin më pulsin e pacientëve, që hapat e saj nuk do të dëgjohen më në korridoret e spitaleve dhe institucioneve shëndetësore, mbetet vetëm kujtimi. Por kujtimi i njerëzve të mirë nuk mbaron. Ai bëhet dritë. Bëhet mall. Bëhet mirënjohje.

Largimi i doktoreshë Liljanës, është një humbje që tejkalon kufijtë e familjes. Është ikja e një mjekeje që shërbeu me devotshmëri. Është ndarja nga jeta e një gruaje fisnike. Është mungesa e një qytetareje model.

Në këto ditë të rënda, pranë Mikel Papakostandinit dhe familjes, po qëndrojnë të afërm, miq e dashamirës të shumtë. Mes tyre, me përkushtim të veçantë është edhe Neritan Bitri, i cili i ka qëndruar pranë dajës Mikelit, duke ndarë dhimbjen dhe duke u kujdesur për gjithçka që kërkon një humbje e tillë.

Njerëzit e mirë, nuk maten vetëm nga sa kanë jetuar, por edhe nga sa dashuri lënë pas. Dhe Liljana Papakostandini Olldashi la shumë dashuri, shumë mirënjohje dhe emër që Durrësi do ta kujtojë gjatë.

Durrësit i mungon një doktoreshë e përkushtuar. I mungon një qytetare e ndershme. I mungon një grua e urtë dhe fisnike. I mungon një nënë e përkushtuar. I mungon një bashkëshorte shembullore. I mungon një mike e mirë dhe një kolege e respektuar.

Kjo është fitorja më e bukur e një njeriu, të largohet nga kjo jetë dhe të lërë pas respekt, dashuri dhe mirënjohje. Doktoreshë Liljana Papakostandini, e fitoi këtë pavdekësi njerëzore. Punoi me ndershmëri. Shërbeu me përkushtim. Deshi familjen dhe qytetin e saj.

Ndaj sot, ndërsa e përcjellim me lot dhe respekt mund të pohojmë me bindje:

Emri yt do të mbetet i gdhendur në kujtesën e Durrësit, në zemrat e pacientëve, në dashurinë e familjes dhe në mirënjohjen e atyre që patën fatin të të njohin.

Ka njerëz që largohen nga jeta, por nuk ikin kurrë nga kujtesa. Ti je njëra prej tyre. Prehu në paqe, doktoreshë Liljana!