Miliona iranianë iu bashkuan këtë të hënë procesionit mortor të liderit suprem Ali Khamenei në Teheran, në një nga ceremonitë më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend.
Turmat marshuan nga Sheshi i Revolucionit drejt Sheshit Azadi, pasi homazhet dyditore u zhvilluan në Xhaminë e Madhe Mosalla. Të veshur me të zeza, pjesëmarrësit mbanin flamuj iranianë, fotografi të Khameneit dhe pankarta me sloganin “Ne do të ngrihemi“, ndërsa dëgjoheshin thirrje në nder të liderit të vrarë.
Autoritetet iraniane kishin mobilizuar forca të shumta sigurie dhe struktura shtetërore për mbarëvajtjen e ceremonisë, ndërsa metroja e Teheranit u mbush me qytetarë që iu drejtuan procesionit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, e cilësoi pjesëmarrjen masive si një dëshmi të unitetit të popullit iranian. Ai tha se prania dhe reagimi i qytetarëve “kuptohen nga e gjithë bota”, duke hedhur poshtë pretendimet se emocionet e shfaqura gjatë ceremonisë ishin të inskenuara.
Gjatë funeralit u dëgjuan gjithashtu thirrje kundër SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa disa pjesëmarrës brohoritën slogane dhe kërkuan hakmarrje për vrasjen e Khameneit.
Në ceremoni morën pjesë drejtuesit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Iranit. Ndërkohë, lideri i ri suprem, Mojtaba Khamenei, mungoi për arsye sigurie, sipas zyrtarëve iranianë.
Për të pasqyruar ceremoninë, Irani akreditoi mbi 300 gazetarë të huaj, në një lëvizje të pazakontë që synon t’i japë jehonë ndërkombëtare ngjarjes.





