Baritoni nga Azerbajxhani Mahir Taghizade është fituesi i çmimit të parë të edicionit të dytë të DOA-s, Durrës Opera Art of Singing.

Juria ndërkombëtare e eventit kulturor, e përbërë nga disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare dhe botërore, si sopranoja e famshme Inva Mula, pianisti dhe pedagogu britanik Richard Valentin Barker, baritoni me karrierë ndërkombëtare Federico Longhi etj vlerësuan në natën finale kandidatët më të mirë mes këngëtarëve, që vinin nga 11 shtete të ndryshme.

Për drejtuesin artistik dhe themeluesin e këtij eventi, baritonin e famshëm durrsak Gëzim Myshketa, edicioni i dytë dëshmoi një interesim mjaft të lartë të kandidatëve për t’u bërë pjesë e 4 ditëve të masterclass-ve, ndërsa niveli artistik i artistëve të përzgjedhur ishte mjaft i lartë.

Publiku në sallë ndoqi me mjaft interes interpretimet mjaft të arrira të artistëve të rinj dhe duartrokiti gjatë stilin operistik dhe interpretimin skenik të të gjithë pjesëmarrësve.

Mes emrave të vlerësuar nga juria spikati edhe ai i këngëtares lirike, Blerta Zhegu, e cila rrëmbeu çmimin e publikut si dhe çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Projekti i iniciuar nga baritoni Myshketa synon ta kthejë qytetin në një pikë referimi për formimin e këngëtarëve lirikë dhe të krijojë një Festival Ndërkombëtar Veror të Operës.

Në natën finale të DOA-s një çmim i veçantë ishte rezervuar edhe për baritonin Myshketa, i cili u vlerësua nga UAMD me çmimin “Ambasador i Universitetit”.

I surprizuar nga çmimi i akorduar, një falenderim i veçantë i baritonit durrsak shkoi ndër të tjera për bashkinë, UAMD-në, familjen Prodani dhe pedagogun Bledar Kurti.

M.B.