Është rihapur qarkullimi për mjetet ne autostradë në drejtimin Tiranë-Durrës, pasi përhapja e flakëve pranë autostradës detyroi policinë të bllokonte lëvizjen për arsye sigurie.
Passditen e kësaj të hëne një zjarr i madh ra në zonën e Koxhasit në Fushë Shijak.
I favorizuar nga era e fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke arritur pranë autostradës Tiranë-Durrës.
Për shkak të rrezikut që paraqisnin flakët dhe tymi i dendur, Policia ndërpreu për rreth një orë qarkullimin e automjeteve në këtë aks rrugor, derisa situata u normalizua.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri rrezikoi edhe një fabrikë letre që ndodhet pranë vatrës së flakëve. Pas një ore luftë me flakët, zjarri u shua dhe situata u vu nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të Shijakut dhe Durrësit, të cilat punuan intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve.
Gjithashtu, për të përballuar situatën, në ndihmë të tyre erdhën edhe dy mjete zjarrfikëse nga Tirana.





