Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale të re bombardimesh ruse që goditën Kievin dhe zonat përreth gjatë natës, vetëm pak orë përpara nisjes së samitit të NATO-s në Turqi, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve.

Sipas autoriteteve ukrainase, 15 persona u vranë në kryeqytetin Kiev, ndërsa shtatë të tjerë humbën jetën në qytetin Vishnevo, në periferi të kryeqytetit. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja, pasi ka ende persona të zhdukur.Gazetarët e AFP-së raportuan se ekipet e emergjencës nxorën trupa nga rrënojat e një pallati tetëkatësh në Kiev, ndërsa britmat e familjarëve dëgjoheshin në vendngjarje.

Autoritetet thanë se rreth 30 ndërtesa u dëmtuan nga sulmet, mes tyre edhe komplekse banimi në lagjet Poznyaki dhe Podilskyi. Një banore, 36-vjeçarja Anna Misko, tha se ajo dhe fëmija i saj i shpëtuan sulmit pasi zbritën në strehim sapo ranë alarmet ajrore. 
Në qytetin Vishnevo, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet mes rrënojave, ndërsa më shumë se 600 banorë janë evakuuar për shkak të rrezikut nga pajisje shpërthyese të pashpërthyera.