-Në moshën 92-vjeçare mbylli sytë më i moshuari i topkoshit durrsak

Nga BUJAR QESJA

Ka njerëz që largohen fizikisht, por mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së qytetit të tyre. Një prej tyre është edhe Gjon Luli, i cili u nda nga jeta, duke lënë pas kujtimin e një sportisti të rrallë, një arbitri të respektuar, një edukatori të brezave dhe mbi të gjitha të një njeriu fisnik.

I lindur më 16 tetor 1934, Gjon Luli i përkiste brezit të artë të sportistëve, që hodhën themelet e basketbollit durrsak në vitet ’50-të dhe ’60-të. Ishte pjesë e “Lokomotivës” së Durrësit, ekipit që përfaqësonte me krenari qytetin në kampionatet kombëtare dhe që krijoi traditën e një sporti, që do të bëhej ndër më të dashurit për durrsakët.

Në parket, Gjoni ishte një lojtar shembullor. Kishte fatin dhe nderin të luante përkrah emrave, që sot konsiderohen legjenda të basketbollit durrsak, si Dhimitraq Goga, Niko Hercek, Salvator Sotiri dhe Spiro Urumi.

Më pas u bë pjesë e brezit, që solli vazhdimësinë e suksesit, duke ndarë fanellën me Xhoxh Nushin, vëllezërit Hyka – Fehmiun dhe Fatosin, Margarit Çumashin, Theofan Muzinën, Ilia Dollanin, Xhod Bejën, Naun Llazon, Koç Papaj dhe shumë sportistë të tjerë të talentuar.

Të gjithë këta, u drejtuan për vite me radhë nga trajneri i mirënjohur Bashkim Taga, tjetër emër i madh i sportit shqiptar.

Por angazhimi i Gjon Lulit, nuk përfundoi me mbylljen e karrierës si basketbollist. Përkundrazi, nisi etapë të re, po aq të rëndësishme. U bë gjyqtar i kategorisë së parë në basketboll, duke fituar respektin e sportistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të ekipeve.

Për shumë vite, drejtoi me profesionalizëm dhe paanshmëri, ndeshje të rëndësishme të kampionatit kombëtar të basketbollit, duke qenë nga arbitrat më të vlerësuar të kohës.

Sporti ishte pjesë e pandarë e jetës së tij. Krahas basketbollit, dha ndihmesën edhe në vaterpolo, duke dëshmuar se pasioni për veprimtaritë fizike dhe garën sportive nuk njihte kufij. Mbeti nga ata njerëz, që besonin se sporti nuk ndërton vetëm kampionë, por edhe karaktere.

Nga kapitujt më të bukur të jetës së tij, ishte puna me të rinjtë. Për shumë vite, së bashku me specialistin e njohur të basketbollit Haxhi Boshnjaku, iu përkushtua përgatitjes së basketbollistëve të moshave. Qindra fëmijë e të rinj, kaluan në duart e tyre, duke mësuar jo vetëm teknikën e lojës, por edhe disiplinën, korrektësinë, respektin për kundërshtarin dhe dashurinë për fanellën e qytetit.

Kjo ndihmesë nuk mbeti pa u vlerësuar. Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tërë kushtuar sportit, administratori i shoqatës sportive “Goga Basket”, Perikli Goga, i akordoi një pension të veçantë, gjest fisnik ky që shprehte respektin, për një njeri që kishte dhënë gjithçka për basketbollin durrsak.

Edhe jashtë sportit, Gjon Luli ishte shembull i përkushtimit ndaj punës. Për shumë vite punoi si saldator në Uzinën Mekanike Bujqësore, ku fitoi me meritë titullin “Mjeshtër”. Ishte pjesë e atij brezi njerëzish, që e ndërtonin jetën me djersë, ndershmëri dhe përgjegjësi, duke fituar respektin e kolegëve dhe të gjithë atyre që e njihnin.

Megjithëse vitet kalonin, mbeti një sportist edhe në mënyrën e jetesës. Lëvizte pothuajse gjithmonë me biçikletë nëpër rrugët e Durrësit. Edhe pse mbante një aparat kardiak, që i normalizonte ritmin e zemrës, nuk u dorëzua kurrë përballë moshës apo vështirësive shëndetësore. Energjinë, buzëqeshjen dhe dëshirën për të qenë aktiv i ruajti deri në fund.

Në Durrës, Gjon Luli krijoi ststurën e një figurë popullote. Shumë qytetarë e takonin çdo ditë, e përshëndesnin me respekt dhe e kujtonin si një njeri të thjeshtë, komunikues dhe gjithmonë të gatshëm, për të ndarë kujtime nga sporti i dikurshëm. Luli nuk kërkoi kurrë lavdi apo privilegje. Respektin e fitoi me punë dhe përkushtim.

Me ndarjen nga jeta, mbyllet edhe një kapitull i rëndësishëm i historisë së basketbollit durrsak. Gjon Luli, ishte sportisti i fundit i gjallë i brezit pionier të viteve të para të basketbollit të Durrësit.

Me largimin e tij nga jeta, një epokë kalon përfundimisht në histori, por kujtimi dhe ndihmesa i atij brezi, mbeten pasuri që duhet ruajtur dhe përcjellë tek brezat e rinj.

Brezi i Gjon Lulit, ndërtoi sportin në kushte shumë më të vështira, nga ato që njohim sot. Ata luanin për pasion, për qytetin dhe për nderin e fanellës. Nuk i motivonin përfitimet materiale, por krenaria për të përfaqësuar Durrësin. Pikërisht kjo e bën edhe më të madhe figurën e tyre.

Jeta e Gjon Lulit është histori e bukur përkushtimi. Sportist, arbitër, edukator, mjeshtër në profesion dhe qytetar model. Në secilin kapitull, la gjurmë të respektueshme, fitoi respekt.

Kur sporti dhe sportëdashësit durrsakë, i japin lamtumirën njërit prej figurave më të vjetra dhe më të respektuara të basketbollit, mbetet vetëm mirënjohja për gjithçka dha gjatë më shumë se shtatë dekadave jetë aktive.

Emri i Gjon Lulit, do të mbetet i lidhur përgjithmonë me historinë e basketbollit të Durrësit, me brezin e artë të pionierëve që ndërtuan traditën sportive të qytetit dhe me vlerat njerëzore, që mishëroi gjatë gjithë jetës.

Lamtumirë, Gjon Luli!

Qoftë i paharruar kujtimi yt dhe i përjetshëm, respekti për vlerat që le pas. Historia e sportit durrsak, do të të rendisë gjithmonë mes njerëzve, që i dhanë emër dhe krenari sportit të qytetit!

Bujar Qesja

Durrës: 7 korrik 2026