Bashkimi Europian pritet të shtyjë për vitin e ardhshëm nisjen e sistemit të ri online për autorizimin paraprak të udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së, pas problemeve të hasura me zbatimin e një sistemi tjetër të kontrollit kufitar elektronik.

Sistemi Etias (Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit), i ngjashëm me modelin amerikan ESTA, do të prekë rreth 1.4 miliardë udhëtarë që aktualisht mund të hyjnë në zonën Schengen pa vizë, përfshirë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët do të duhet të regjistrohen online përpara udhëtimit, të paguajnë një tarifë prej 20 eurosh dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë përpara se të marrin autorizimin për hyrje.

Vendimi për shtyrjen e Etias lidhet me vështirësitë teknike dhe vonesat në zbatimin e sistemit tjetër kufitar të BE-së, EES (Sistemi Hyrje/Dalje), i cili kërkon regjistrimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe imazheve të fytyrës për qytetarët jashtë Bashkimit Evropian.

Problemet me EES kanë shkaktuar radhë të gjata në disa aeroporte dhe pika kufitare, duke ngritur shqetësime edhe nga industria e aviacionit për vështirësi gjatë sezonit veror të udhëtimeve.

Agjencia europiane EU-Lisa, përgjegjëse për zbatimin e Etias, ka pranuar se nisja e sistemit deri në fund të këtij viti, siç ishte planifikuar fillimisht, nuk duket më e realizueshme.

Bordi drejtues i EU-Lisa ka diskutuar në qershor mundësinë e shtyrjes së afatit dhe pritet të rikthehet te kjo çështje në muajt e ardhshëm për të përcaktuar një kalendar të ri.

Një zyrtar i informuar mbi procesin tha se ende ekzistojnë probleme teknike me sistemin dhe se prioritet duhet të jetë stabilizimi i EES përpara se të vendoset një tjetër procedurë që mund të rrisë më tej vonesat në kufi.

Komisioni Europian deklaroi se përgatitjet për nisjen e Etias vazhdojnë, por theksoi se për sisteme të mëdha teknologjike duhet të merren parasysh faktorë të shumtë përpara aktivizimit të tyre.

Sistemi EES ishte planifikuar fillimisht të hynte në fuqi në vitin 2022, por është shtyrë disa herë për shkak të problemeve me prokurimet, çështjeve teknike dhe ritmeve të ndryshme të përgatitjes në vendet anëtare.

Disa zyrtarë të BE-së vlerësojnë se vonesa e Etias mund të jetë relativisht e shkurtër, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të pamundur nisjen e tij brenda këtij viti.