Këshilltarja bashkiake e Partisë së Lirisë në Durrës, Anisa Ibraj, ka kritikuar gjendjen e lagjeve të qytetit, duke akuzuar Bashkinë për mungesë mirëmbajtjeje dhe neglizhencë ndaj problemeve të qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ibraj shprehet se ndërsa Durrësi promovohet si një nga destinacionet turistike më tërheqëse të vendit, mjafton të largohesh nga qendra për t’u përballur me një realitet krejt ndryshe.

Sipas saj, pothuajse të gjitha lagjet vuajnë nga mungesa e pastërtisë, mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve të nevojshme, pavarësisht taksave që paguajnë qytetarët për shërbimet publike.

Postimi i plotë:

Ndërsa Durrësi vijon të promovohet si një nga destinacionet turistike më tërheqëse të Shqipërisë, ku zona historike dhe vija bregdetare mirëpresin vizitorë nga e gjithë bota, mjafton të largohesh pak nga qendra për t’u përballur me një realitet krejt tjetër.

Sot, pothuajse të gjitha lagjet e Durrësit vuajnë nga mungesa e mirëmbajtjes, pastërtisë dhe ndërhyrjeve të nevojshme dhe pse ne paguajmë taksa për të marrë shërbimet e përditshme.

Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme të banorëve dhe problematikave të ngritura edhe nga ne, këshilltarët e opozitës, Bashkia Durrës vijon ta shpërfillë gjendjen e lagjeve dhe shqetësimet e qytetarëve.