Në harkun kohor të dy – tre javëve, ky aks që kalon përmes disa fshatrave të njësisë administrative Ishëm ka degraduar ndjeshëm. Gropat e krijuara në asfalt janë vende – vende gati të pakalueshme.
Banorët e kësaj zone, të cilët sot organizuan një protestë për të ngritur zërin për shkatërrimin e infrastrukturës rrugore e drejtojnë gishtin nga mjetet e rënda të një kompanie ndërtimi që ka nisur investimin për ndërtimin e një porti jahtesh në bregdetin e Draçit.


Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe shumë efektivë policie që mbikqyrën nga afër protestën e komunitetit të zonës.
Aksi Fushë – Ishëm, i rikonstruktuar 2 vitet e fundit, ka nisur të shfaqë shenjat e para të dëmtimit të rëndë të infrastrukturës, ndërsa degradimi i mëtejshëm i tij pritet të bëhet pengesë edhe për mijëra shtetas të Kosovës që aksesojnë vijën bregdetare të Gjirit të Lalzit duke përdorur këtë segment rrugor.


Banorët e fshatrave Gjuricaj, Fushë Ishëm dhe Likmetaj kërkojnë t’i jepet stop shkatërrimit të imfrastrukturës rrugore dhe aksi të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“DurrësLajm” kontaktoi edhe me kompaninë që po realizon ndërtimin e portit të jahteve, inxhinieri i së cilës na komunikoi se shkak për dëmtimin e aksit është cilësia e dobët e punimeve. Sipas tij, së bashku me firmën që ka realizuar rikonstruksionin e aksit, do të riparojnë të gjitha dëmtimet e asfaltit dhe njëkohësisht do të vendosin në këtë aks edhe disa policë të shtrirë, që udhëtimi në këtë rrugë të jetë sa më i sigurt.
M.B.





