I diplomuar në Akademinë e Arteve dhe për një periudhë të shkurtër pedagog i flautit në shkollën e muzikës në Durrës, Qamil Zejnati jeton prej 36 vitesh në Itali. Edhe pse kthehet shpesh në qytetin e lindjes, kësaj here ai erdhi enkas për të ndjekur një nga koncertet e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës. Sipas tij, Durrësi e meriton një jetë artistike të këtij niveli, pasi është një qytet me histori, kulturë dhe traditë të pasur. Organizimi, brenda pak ditësh, i tre aktiviteteve të rëndësishme si Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, Vox Baroque Festival dhe edicioni i dytë i Durrës Opera Art of Singing është, sipas Zejnatit, një tregues i qartë se qyteti po ndërton identitetin kulturor që i ka munguar prej vitesh.
Më poshtë intervista e zhvilluar me Qamil Zejnatin pas koncertit të Albanian Youth Chamber Ensemble, me të ftuar specialë trombistët Francesca Tommolini dhe Taulant Hatija.

Si ju duk niveli i koncertit të kësaj mbrëmjeje dhe çfarë përshtypjesh ju la ai?

Kur u largova nga Shqipëria, ne kishim një dëshirë të madhe për të organizuar koncerte të tilla dhe për të sjellë më shumë art e kulturë në qytet. Kushtet e asaj kohe dhe izolimi i vendit nuk na e mundësonin këtë. Përpiqeshim të bënim diçka për qytetarët e Durrësit, por shpesh më vinte keq që mungonin aktivitetet artistike cilësore. Ne mundoheshim dhe kërkonim të bënim dicka për qytetarët tanë dhe ndihesha keq që në atë kohë ne gëzonim me tallavanë e kohës, ndërsa sot jam krenar që vij dhe shoh një realitet tjetër. Sot ndihem krenar kur vij dhe shoh një realitet krejt tjetër. Nuk duhet të harrojmë se Durrësi është një qytet me histori të jashtëzakonshme. Ai ka pasur universitet që në vitin 1380 dhe ka qenë gjithmonë një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane. Pikërisht për këtë arsye, qyteti e meriton një jetë kulturore të pasur. Të ndjekësh një koncert në një ambient kaq të bukur si Muzeu Arkeologjik është një përjetim i veçantë. E shijova jashtëzakonisht shumë këtë mbrëmje artistike.

Edhe ju keni qenë pjesë e këtij mjedisi artistik. Ju mungon profesioni?

Sigurisht që po. Kam përfunduar Akademinë e Arteve dhe profesioni nuk harrohet kurrë. Kur rikthehem dhe shoh një sallë plot me njerëz që ndjekin me interes një koncert të muzikës klasike, ndihem shumë mirë. Më bëri përshtypje fakti që publiku ishte i larmishëm. Nuk ishin vetëm profesionistë apo muzikantë, por edhe qytetarë të thjeshtë që kishin ardhur nga dëshira për të shijuar artin. Kjo tregon se kultura po fiton gjithnjë e më shumë terren.

Brenda vetëm një jave, në Durrës janë organizuar tre aktivitete të rëndësishme kushtuar muzikës baroke, muzikës së dhomës dhe operës. Si e vlerësoni këtë?

Është një zhvillim shumë pozitiv. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm larmia e aktiviteteve artistike dhe kjo është meritë e organizatorëve dhe e institucioneve që i mbështesin. Dua të përgëzoj drejtuesen artistike të Festivalit, znj. Nevila Kalaja, e cila prej vitesh punon me përkushtim për ta sjellë këtë festival në Durrës, si edhe Bashkinë e Durrësit dhe të gjithë ata që mbështesin nisma të tilla. Për ne që jetojmë jashtë vendit është një kënaqësi e madhe të rikthehemi dhe të gjejmë një qytet ku zhvillohet art dhe kulturë. Kjo më bën të ndihem edhe më krenar që jam nga Durrësi.

Si e mbani gjallë lidhjen me muzikën gjatë jetës suaj në Itali?

Italia ofron mundësi të shumta për të ndjekur aktivitete artistike dhe kulturore. Pikërisht për këtë arsye më vinte keq vite më parë kur mendoja se si ishte e mundur që një qytet me historinë dhe kulturën e Durrësit të mos kishte jetën artistike që meritonte. Sot shoh se kjo po ndryshon. Durrësi po rikthen traditën e tij kulturore, po promovon muzikën klasike dhe po krijon një publik që e vlerëson artin e mirëfilltë. Në të kaluarën, zhvillimi artistik ishte më i dukshëm në qytete si Shkodra, Korça apo Tirana, ndërsa Durrësi kishte mbetur disi pas. Sot kjo situatë ka ndryshuar dhe jam shumë i lumtur që qyteti po ecën në drejtimin e duhur. Madje, këtë herë u ktheva nga Italia vetëm për pak ditë, pikërisht për të qenë i pranishëm në këtë koncert.

Faleminderit!