Një operacion i përbashkët ndërkombëtar i koduar “Fury”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS), çoi në arrestimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në pranga ranë M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji. Sipas Policisë, ndaj tyre INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Gjatë kontrollit, efektivët u gjetën dy të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të dalë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë.
Në vijim të operacionit, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Xh. R., 26 vjeç, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se u kishte siguruar dokumentet false dy të kërkuarve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia sekuestroi edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, në cilësinë e provës materiale.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni “Fury” është rezultat i një bashkëpunimi të gjatë mes strukturave shqiptare të zbatimit të ligjit, homologëve në Maqedoninë e Veriut dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Shkup.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





