Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka kërcënuar se do të mbyllë edhe “të gjitha korridoret e tjera të eksportit që u sjellin dobi SHBA-së dhe aleatëve të saj”, pas përshkallëzimit të tensioneve në Gjirin Persik dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore iraniane IRNA, Garda Revolucionare tha se eksportet energjetike të rajonit “ose do të ndahen nga të gjithë, ose nuk do të jenë të disponueshme për askënd”.

Kërcënimi vjen pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer një bllokadë detare ndaj porteve iraniane. Sipas Reuters, analistët vlerësojnë se deklarata e Teheranit mund të jetë një sinjal se Irani mund të përdorë aleatët e tij, rebelët Huthi në Jemen, për të tentuar mbylljen e Ngushticës Bab el-Mandab, duke hapur një front të ri përballjeje me Uashingtonin. Bab el-Mandab lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe është një nga korridoret kryesore të tregtisë globale, përmes të cilit kalojnë një pjesë e konsiderueshme e eksporteve të naftës saudite dhe miliona tonë mallra çdo vit.

Një zyrtar i lartë i Huthëve paralajmëroi se grupi mund të mbyllë këtë ngushticë nëse Arabia Saudite vazhdon sulmet ndaj Jemenit, duke pretenduar se një veprim i tillë mund të çojë çmimin e naftës deri në 200 dollarë për fuçi.

Huthët kanë goditur më herët transportin ndërkombëtar në Detin e Kuq, veçanërisht pas nisjes së luftës në Gaza në vitin 2023, kur sulmuan anije tregtare duke pretenduar se po synonin mjetet që kishin lidhje me Izraelin. Kërcënimet e reja iraniane vijnë një ditë pasi ushtria amerikane njoftoi nisjen e një vale sulmesh kundër objektivave iraniane, me synim dobësimin e kapaciteteve që, sipas Uashingtonit, janë përdorur për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Irani ka sulmuar shtatë anije tregtare gjatë javës së fundit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur mes ekuipazheve. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) deklaroi se ka goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Hormuzit dhe zonave bregdetare të Iranit.

Ndërkohë, Garda Revolucionare deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në “fundin e të këqijave të Amerikës”. Përpara përshkallëzimit të konfliktit, rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz kalonte çdo ditë përmes kësaj rruge detare. Teherani gjithashtu pretendoi se kishte goditur objekte të Flotës së 5-të amerikane në Bahrein, një objekt logjistik amerikan në Kuvajt dhe një bazë amerikane në Jordani. Nga ana tjetër, Jordania njoftoi se kishte interceptuar dhe rrëzuar tre raketa balistike iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore.

Paralelisht, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se SHBA mund të godasë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse Teherani nuk rikthehet në negociata. “Do t’i lë objektivat e energjisë për në fund, por përfundimisht do t’i arrijmë ato”, tha Trump në një intervistë për Fox News. Përshkallëzimi i ri ka rritur shqetësimet në tregjet ndërkombëtare, ndërsa çmimet e naftës kanë shënuar rritje për shkak të frikës se një konflikt më i gjerë mund të ndërpresë furnizimet globale të energjisë.