Situata e krijuar një ditë më parë në filialin e Postës Shqiptare të Durrësit, ku drejtoresha Elisabeta Mataj u shkarkua, ndërsa shefja e financës Valbona Duni dha dorëheqjen ,duket se nuk ka pasur impakt në pikat e shpërndarjes së pensioneve. Procesi ka vijuar ditën e sotme normalisht dhe pa vonesa. Drejtoria e Përgjithshme e Postës zbuloi përmes një auditimi abuzime në vlerën miliona lekëbnë administrimin e fondeve
Posta Shqiptare ka kërkuar hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës. Për këtë çështje janë depozituar tre kallëzime penale nga palët e përfshira. Kallëzimi i parë është bërë nga Posta Shqiptare ndaj drejtoreshës së filialit, shefes së financës, arkëtares dhe punonjësve të tjerë. Kallëzimi i dytë është bërë nga shefja e financës ndaj drejtoreshës Mataj, ndërsa kallëzimi i tretë është bërë nga kjo e fundit ndaj vartëses Duni.
Qytetarët durrsakë, këtë abuzim që mund të shkojë deri në 3 milionë euro, e konsiderojnë një ngjarje e rëndë.
“Kështu është bërë Shqipëria. Kush hyp në pushtet, në udhëheqje veç për të vjedh! Shqipëria është bërë gjithë hajni.”
“Nëse arrihet të vidhet brenda institucionit dhe në këto përmasa është tmerr!”
“Më keq nuk ka ku shkon. Është si të vjedhësh shtëpinë tënde”.
“Të gjithë ata që vjedhin, duhet të shkojnë brenda burgut. Unë mbrëmë duke e parë në TV këtë drejtoreshën e Postës u impresionova shumë”.
“Ngjarje të rënda janë shumë këto”,- thonë qytetarët për mikrofonin e “DurrësLajm”.
Do të jetë hetimi i Prokurorisë së Durrësit që pritet të përcaktojë përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë. Tre kallëzimet penale do të bashkohen në një dosje të vetme për të zbardhur këtë ngjarje të paprecedentë.
M.B.





