Pas largimit të Chris Hemsworth nga projekti, emri i Bradley Cooper ka dalë si kandidati kryesor për të marrë rolin protagonist në ribërjen e filmit të ri “G.I. Joe”, një projekt i shumëpritur nga Paramount.
Hemsworth ishte parashikuar fillimisht të luante në filmin e ri të studios, por është tërhequr nga projekti për arsye që ende nuk janë bërë publike. Sipas raportimeve, Paramount tashmë ndodhet në bisedime të avancuara me aktorin e nominuar për çmimin Oscar, Bradley Cooper, për ta vendosur atë në qendër të adaptimit të ri të kësaj sage të njohur.
Lajmi është raportuar fillimisht nga “Nexus Point News”, ndërsa bëhet e ditur se Cooper dhe regjisori e skenaristi Danny McBride kanë një histori bashkëpunimi. Dyshja kanë punuar më herët në filmin “Aloha” të vitit 2015, me regji të Cameron Crowe, ndërsa Cooper pati gjithashtu një rol të ftuar si Elijah Gemstone në serialin e HBO-së “The Righteous Gemstones”, krijuar nga McBride.
Filmi i ri “G.I. Joe” do të jetë rikthimi i parë i kësaj ekskluziviteti pas “Snake Eyes: G.I. Joe Origins” të vitit 2021, ku rolin kryesor e interpretoi Henry Golding.
Projekti ka kaluar një periudhë të gjatë zhvillimi. Paramount kishte porositur më herët dy versione të ndryshme të skenarit, një nga Max Landis dhe një tjetër nga Danny McBride. Studioja vendosi të mos vazhdonte me versionin e Landis për shkak të “dallimeve krijuese”, duke i dhënë përfundimisht dritën jeshile konceptit të McBride. Me përfshirjen e mundshme të Bradley Cooper, filmi duket se po i afrohet fazës së para-prodhimit.
Ndërkohë, Cooper ka disa projekte të rëndësishme në axhendë. Ai i jep zërin filmit të ardhshëm “Ally” të regjisorit Bong Joon-ho dhe po punon gjithashtu si producent, regjisor, skenarist dhe aktor në filmin paraardhës të “Ocean’s Eleven”, ku do të luajë përkrah Margot Robbie.
Sipas raportimeve të “World of Reel”, pas përfundimit të këtyre angazhimeve, Cooper pritet të nisë përgatitjet për “G.I. Joe”. Ai është gjithashtu pjesë e filmit të ri të Sean Penn mbi ngjarjet e 6 janarit, prodhimi i të cilit pritet të nisë jo më herët se fundi i vitit 2027.





