Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Reagimi”, në kuadër të të cilit është vënë në pranga shtetasi G.Gjyzeli.
Sipas Policisë, ai dyshohet se mbrëmjen e djeshme vodhi me dhunë një shumë parash në një farmaci në lagjen nr. 12 të Durrësit. Gjyzeli u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes.
Nga verifikimet rezultoi se ai kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ai është i përfshirë edhe në raste të tjera.
Njoftimi i plotë:
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Reagimi”, për vënien në pranga të një shtetasi me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve.
Mbrëmë, vodhi me forcë, një shumë parash, në një farmaci, arrestohet pak orë pas krimit, 45-vjeçari.
Ai ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për vjedhje.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetaseje, se mbrëmë, në farmacinë ku punonte, në lagjen nr. 12, një shtetas kishte vjedhur me forcë, një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”, gjatë të cilit u kap pak orë pas kryerjes së krimit, dhe u vu në pranga, autori i dyshuar, shtetasi G. Gj., 45 vjeç, banues në Durrës.
45-vjeçari, me precedent kriminal të theksuar në fushën e vjedhjeve, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për të njëjtin krim.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi G. Gj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.





