Në 10 ditëshin e fundit të qershorit, bashkia e Durrësit prezantoi plazhin e parë publik në qytet, të pajisur me çadra dhe shezlongë, që ofroheshin falas. Nisma u mirëprit nga qytetarët, sidomos ata të moshës së tretë, që vit pas viti kanë frekuentuar rregullisht këtë hapësirë ranore në shëtitoren Taulantia.

Por kur kanë kaluar më shumë se 3 javë, që kur ky plazh publik u bë funksional një problematikë që meriton vëmendje është shfaqur aty.

“Vuri rreth 100 e ca çadra këtu dhe nuk kanë mbetur as gjysma. Se si do të dalim nga kjo situatë, nuk e di. Janë paratë tona, malli ynë. Vijmë në mëngjes dhe pjesën më të madhe të çadrave i gjejmë në det. Janë tepër vandalë, nuk ke çfarë t’u thuash tjetër. Është vandalizëm.”, shprehet një nga pushuesit.

Dëmtimi i çadrave të plazhit publik është rasti i fundit vandal që regjistrohet në shëtitore përgjatë viteve, pasi raste të ngjashme janë shfaqur me skulpturat e parkut.

Monitorimi i këtij plazhi me kamera sigurie, që mbajnë logon e bashkisë, duket se nuk i ka trembur elementët keqbërës.

Po ndërsa shpresojnë se kjo problematikë do të marrë zgjidhje, për frekuentuesit e rregullt të kësaj hapësire publike, nisma e pushtetit lokal është për t’u përgëzuar.

Krahas vendasve, ky plazh publik frekuentohet edhe nga të huajt, që shprehen entuziastë për ditët e pushimit, që po kalojnë në qytetin bregdetar.

“Do të qëndrojmë 6 ditë këtu dhe po kënaqemi shumë. Oferta turistike është më e mira që kam parë ndonjëherë, ndërsa njerëzit dhe ushqimet janë shumë të mirë. Kur të kthehem në Gjermani, do t’u them miqve të mi: Vizitoni Shqipërinë!”

“Më pëlqen jashtëzakonsht shumë vendi juaj. Kemi ardhur për herë të parë këtu. Vizituam edhe Tiranën, më pëlqeu shumë kryeqyteti juaj. Kolegia ime e ka vizituar Shqipërinë më parë dhe më rekomandoi të vi këtu. edhe ajo kishte mbetur shumë e kënaqur dhe me shumë mundësi do të rikthehemi”.

Prania e turistëve të huaj, jo vetëm përgjatë vijës bregdetare, por edhe në sitet e trashëgimisë kulturore është një dëshmi më shumë se Durrësi vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse të Shqipërisë turistike.

M.B.