Pas dhënies së masës së sigurisë “arrest me burg”, ka reaguar avokati mbrojtës Ilia Ilia, që mbron ish-drejtoreshën e Postës Elizabeta Mataj. Në një prononcim për mediat, Ilia e cilësoi absurd vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë, pasi sipas tij, ndalimi është bërë tërësisht i paligjshëm.
“Nuk ka asnjë provë që ta implikojë Elizabeta Matajn në bashkëpunim kriminal për vjedhje të sasisë së parave që mungon në Postë”, u shpreh ai.
Gjykata e Durrësit vendosi sot masat e sigurisë “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, dhe “arrest në shtëpi” për 2 vartëset e saj, shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana.
Ato akuzohen nga Prokuroria për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.





