Shqiptari Romeo Bajrami është vënë nën akuzë nga autoritetet federale amerikane për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se kaloi kufirin nga Kanadaja me një motor uji të tipit Sea-Doo, të marrë me qira.

Sipas dosjes penale, 40-vjeçari dyshohet se gjatë kalimit të lumit St. Clair ka transmetuar live në Facebook. Mediat e huaja raportojnë se pamjet janë përfshirë në provat e hetimit.

Hetimet tregojnë se Bajrami kishte marrë me qira mjetin lundrues në qytetin Sarnia, në Kanada, por nuk e ktheu atë. Pas njoftimit të autoriteteve kanadeze, Garda Bregdetare dhe Patrulla Kufitare amerikane nisën kërkimet, duke e gjetur Sea-Doo-në të braktisur në brigjet e Port Huron, në Miçigan.

Gjatë hetimeve, agjentët zbuluan edhe një video publike në Facebook, ku sipas tyre shfaqet Bajrami duke kaluar lumin me Sea-Doo. Sipas autoriteteve, të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me zonën ku ai dyshohet se hyri ilegalisht në territorin amerikan.

Pas gati një viti hetimesh, Bajrami u lokalizua në një burg në Boston, ku ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër.

Ai tashmë përballet me akuzën për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Nëse shpallet fajtor, rrezikon një dënim deri në gjashtë muaj burg.