Reshjet e shiut, të regjistruara mëngjesin e sotëm duket se i kanë trembur pushuesit në plazhin e Durrësit.
Shumë çadra e shezlonge ishin të mbyllura, ndërkohë që numri i pushuesve ishte shumë i kufizuar, krahasuar me ditë më parë.
Por kushtet e papërshtatshme të motit nuk janë i vetmi problem për pushuesit, që po frekuentojnë plazhin këtë fund korriku.
Vijës bregdetare i mungojnë pushuesit tradicionalë nga Kosova, por edhe ata nga Maqedonia e veriut. Rënia e ndjeshme e euros dhe rritja e çmimeve duket se janë faktorët kryesorë.
Për pushuesit e huaj, por edhe ata vendas apo emigrantët, Durrësi mbetet ende një destinacion mjaft i mirë për pushime familjare. sirnkon
“Do të qëndrojnë 8 ditë këtu, kemi ardhur nga Sllovakia. Na pëlqen Durrësi në këtë periudhë. Ka shumë njerëz, është i zhurshëm, por ka gjallëri. Ushqimet dhe çmimet këtu tek ju janë shumë mirë, krahasuar me vendin tim”.
“Kemi ardhur për herë të parë në Durrës dhe do të qëndrojmë 7 ditë. Ne vijmë nga Rumania dhe po kalojmë shumë bukur këtu. Është dita e katërt që po frekuentojmë plazhin”.
Zgjatja e sezonit pritet të amortizojë disi humbjet financiare të strukturave akomoduese, por edhe njësive të shërbimit, që lidhen drejtpërsëdrejti me sektorin e turizmit.
Vite më parë bumi turistik përqendrohej në muajt korrik dhe gusht, por ky trend nuk po reflektohet këtë sezon, duke trembur më së shumti të gjitha strukturat, që ushtrojnë aktivitetin vetëm përgjatë sezonit të lartë.
M.B.





