Është sezoni i fiqve, por ky frut, në të gjitha varietetet e tij, është gati-gati i ndaluar për pensionistët.
Dhe jo sepse është i dëmshëm për shëndetin, por për shkak të çmimit me të cilin tregtohet në markatën e qytetit të Durrësit.
Megjithëse çmimi ka rënë ndjeshëm krahasuar me një javë më parë, kur tregtohej me 700 lekë të reja, ai ende është thuajse “një mollë e ndaluar” për pensionistët, që e kanë të pamundur ta blejnë me çmime që variojnë 250-300 lekë kilogrami.
“Edhe fiku, që nuk ka nevojë për asnjë lloj shërbimi nga ai që e bjen këtu është më shtrenjtë nga të gjithë artikujt e tjerë, me 300 lekë, 500 lekë, 700 lekë. Tani e gjen edhe me 250 lekë, por kush ta blejë me këtë çmim”,– pyet një pensionist.
“Merret shtrenjtë nga fshatarët, sepse ka me pakicë. Në këtë periudhë edhe një vit më parë këtë çmim ka pasur, por pritet të bjerë çmimi edhe më shumë në vijim”,- na tregon një tregtar.
Në markatë, çmimet e frutave dhe perimeve kanë rënë ndjeshëm, pasi në treg dominon prodhimi vendas, por për pensionistët çmimet vijojnë të mbeten të larta, sepse me pensionet që marrin e kanë të pamundur të përballojnë kurbën gjithnjë në rritje të produkteve të konsumit.
Madje edhe për pensionistët italianë, që deri 4-5 vite më parë e zgjidhnin Shqipërinë për të kaluar vitet e pensionit, shtrenjtimi i kostove të jetesës po ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetës së tyre.
“Çmimet janë shumë të larta, sidomos në jug të Shqipërisë. Në zonat bregdetare janë si në Itali. Ne italianët, që pensionet i marrim në euro, kemi humbje deri në 30% për shkak të këmbimit valutor. 4 vite më parë, kur erdhëm euro ishte me 120 lekë, aktualisht këmbehet me 90 lekë. Çmimet ndërkohë janë rritur thuajse me 40%”,- thotë një shtetas italian për “DurrësLajm”.
Tregtarët bëjnë të ditur se edhe përgjatë muajit gusht çmimet e frutave dhe perimeve pritet të jenë në të njëjtat nivele, për shkak të prodhimit bujqësor të fermerëve shqiptarë.
M.B.





