Në Shqipëri, deri në fund të qershorit 2026, rezultojnë të regjistruar 38 712 shtetas të huaj me leje qëndrimi të miratuara.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, të publikuara nga Monitor, mbi gjysma e tyre ndodhen në vend për arsye punësimi.

Shtetasit e Kosovës kryesojnë listën me 7 302 leje qëndrimi, ose rreth 19% të totalit të lejeve aktive. Pas tyre renditen shtetasit italianë me 4 332 leje (11%), indianët me 3 882 leje (10%), filipinasit me 3 638 leje (9.3%) dhe egjiptianët me 3 441 leje (8%).

Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të të huajve në Shqipëri. Deri në fund të qershorit janë regjistruar 22 693 leje unike për punëmarrje dhe vetëpunësim, të cilat përbëjnë 59% të totalit të lejeve të qëndrimit. Numrin më të madh të këtyre lejeve e kanë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti, me 10 258 leje, ose rreth gjysmën e të gjithë të huajve të pajisur me leje pune në vend.

Pas punësimit, arsyeja e dytë më e zakonshme për qëndrim është bashkimi familjar. Deri në qershor 2026 janë aktive 7 124 leje për këtë motiv, që përbëjnë 18% të totalit.

Në këtë kategori dominojnë shtetasit e Kosovës me 2 978 leje, ose 42% të totalit, të ndjekur nga italianët me 783 leje (11%) dhe shtetasit turq me 518 leje (7%).

Për motive studimi janë aktive 1 261 leje qëndrimi, ose rreth 3% e totalit. Kjo kategori kryesohet nga shtetasit italianë me 462 leje (37%), ndërsa në vend të dytë renditen shtetasit indianë me 426 leje (34%).

Sa i përket lejeve të qëndrimit për motive humanitare, numrin më të lartë e kanë shtetasit iranianë, me 2 440 leje aktive, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera paraqesin një numër dukshëm më të ulët në këtë kategori.

Marrë nga Monitor