Nga Myzejen Konduri

Kur vendos të shkruash një shkrim, mendohesh se si do ta fillosh. Ndaj sot po e filloj, direkt me Dr. Ilir Doda, profesionistin, humanin, altruistin që arrin të njohë shprehjen e syve e dhimbjen e pacientëve e trishtimin për sëmundjen, që shkojnë e vijnë, ku diagnozat e tij të sakta, kanë bërë që pacientët jo vetëm t’u lehtësohen dhimbjet, të shërohen, por dhe ta kapërcejnë vdekjen. Bashkë me shumë mjekë që punojnë me vetëmohim në spital e institucione të tjera mjekësore, kanë fituar me meritë, respektin e mirnjohjen e qytetarëve e banorëve të zonës.

Ai është mjeku, që është bërë i njohur nga profesioni me vëmendjen që i kushton pacientëve, këshillat e vyera dhe jo rrallë, altruizmin që tregon për shumë pacientë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Durrës, në vitin 1988, filloi studimet në Universitetin e Mjeksisë në Tiranë, 1988 – 1993. Specializohet në “Diagnozeme Imazhe” Radiologji në QSUT, nga viti 1996- 1999. Po krahas punës si Mjek i Përgjithshëm në rrethin e Durrësit, eksperienca e profesionalizmi bënë që pasi bëri dhe specializimin, filloi punë si Radiolog në spitalin Rajonal të qytetit nga viti 2000- 2021, ku në çdo hap në këtë institucion, investoi mirësi e virtyte.

Dr Iliri, nuk i ndali kurset e prefeksionimit për Diagnozën Senologjike në Bari të Italisë, perfeksionimin e Ultrasonografisë & Doppleri në kuadër të Projektit TEMPUS. Pjesmarrës në Workshope Kombëtare e Ndërkombëtare si Pjesmarrës & Lektor dhe Praktikat Profesionale për “Diagnoza imazherike dhe biopsia e kancerit të gjirit” në CRO Aviano të Italisë.
Kjo solli që në vitin 2009 – 2021, u bë Shef i Shërbimit të Radiologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Misioni i tij si mjek & lider u provua edhe gjatë kësaj periudhe duke mos iu shmangur përgjegjësive dhe rasteve më të rënda.Ndaj sot është bërë një ndër mjekët më të kërkuar të qytetit.

Vec këtij rrugëtimi, Dr.Iliri, ka dhënë mësim e praktika në shumë universitete të vendit, që nga Medicom, “Alëksandër Moisiu”, “Kristal”, “Zoja e Këshillit të Mirë”. Publikimet apo Temat Shkencore të tij janë të shumta, nga viti 2003 – 2019…për “Refluxi Veziko- Ureteral”, ” Calculoza biliare”, ” Semiotika Mamografike e Gjirit” , ” US në dhimbjen scoreless acute” ” US në diagnozën e Appendicitis acut” , “Roli i ekzaminimeve imazherike në zbulimin e Hershey të kancerit të gjirit” etj. Pra Dr Iliri, është një Radiolog me një përvojë shumëvjeçare në diagnostikën imazherike.

Po cila është motoja që e udhëheq Dr Ilirin në punën e tij? Ai thotë: “Diagnoza e saktë është shërbimi më i madh që mund t’i ofrosh pacientit. Kjo moto të kujton çdo ditë se pas çdo imazhi diagnostik, qëndron një njeri, një familje dhe një histori që meriton vëmendje, përkushtim dhe përgjegjësi maksimale.”

Dita e tij fillon e mbaron me imazhe. Nr. i tel rri gjithmonë i hapur 24 në 24. Ai e di se profesioni i mjekut, nuk kufizohet me oraret zyrtare, por jeton me hallet e problemet e ndryshme shëndetësore të pacientëve gjithë kohës, kudo, në punë, familje e shoqëri në çdo ditë të javës. Kjo përvojë e gjatë e ka bërë Dr. më të ndjeshëm.

Të gjithë e dimë se ka ende probleme në shëndetësi, që duhen përmirësuar. Ka mjekë që e bëjnë punën si duhet, me profesionalizëm e mirësi si Dr Iliri. Ka dhe disa të tjerë që e shpërfillin rënkimin nga dhimbja të pacientit, me ligësinë e djallit.

Dr.Iliri është një nga këta që e bën si duhet këtë profesion human që mëshirohet në betimin e Hipokratit që të ushtrojë me ndërgjegje & dinjitet, çdo njeri, pamvarësisht moshës, racës , gjinisë, besimit apo statusit shoqëror.

Edhe kur e pyes si duhet të reagojnë për mangësitë në shëndetësi për arsye objektive apo subjektive, ai thotë: “Mjeku ka primar pacientin, duke ruajtur etikën profesionale e privatësinë e tij. Heshtja nuk është gjithmonë zgjidhje, por jam përpjekur gjithmonë me korrektësi, qetësi e profesionalizën, duke kontribuar aty ku kam pasur mundësi për të përmirësuar situatat e jo për t’i anashkaluar ato.”

Te ky mjek, që gjeneron vlera, krenaria më e madhe është familja. Ai mburret kur thotë: “Nuk mund të jesh i suksesshëm, nëse nuk ke arritur të krijosh një familje të suksesshme dhe solide.” Familja e tij përbëhet nga Diana bashkëshortia që i jep dritë shpirtit të tij. Djali Kloerti, 27-vjeçar, që emigroi në Itali dhe për 10 vjet ushtroi futbollin në disa klube italiane, duke ndjekur njëkohësisht studimet për Ekonomi – Financë. Pas mbarimit të Masterit, filloi punë si specialist Financë – Kontabël në një kompani internacionale në Padova, Itali. Ndonëse emigrant, po i bën krenarë prindërit. Bjorna, vajza e bukur dhe e mençur, që ndoqi ëndrrën e saj duke ndjekur gjurmët e të atit në mjekësi, është në vitin e fundit. Së shpejti do jetë bashkëudhëtare në profesion. Me siguri dhe vajza do të shkëlqejë si mjeke e do të motivohet nga puna e këshillat e të atit.

Oh sa shumë ka për të shkruar për një etalon vlerash si Dr Iliri. Po disa të tjera ia lemë së ardhmes. Mesazhi që deshi të përcjellë nëpërmjet këtij shkrimi Dr Iliri është: “Shëndeti është vlera më e cmuar që kemi dhe nuk duhet lënë pas dore! Kujdesuni për veten e mos e lini pas dore kontrollin mjeksor dhe besoni te parandalimi po aq sa dhe te trajtimi.
Si mjek, besoj se profesionalizmi duhet të eci gjithmonë krah për krah me humanizmin, sepse çdo pacient meriton jo vetëm një diagnozë të saktë, por edhe respekt, mirëkuptim, dinjitet”.

Ndërsa unë e plotësoj me mesazhin: “Unë i përulem njerëzve të këtij profesioni…por bërtas e them, mos e prangosni mirësinë ndaj pacientëve!
Besoj se profesionalizmi arritjet, ndjeshmëria, humanizmi dhe altruizmi i Dr Ilirit, të jetë një ftesë për t’u ndjekur nga brezi i ri! Ai është një nga mjekët e palodhur e të nderuar të sektorit të Shëndetësisë, që na bën krenarë.

MYZEJEN KONDURI