Policia e Vlorës ka arrestuar mbrëmjen e kësaj të shtune Renardo Nallbanin, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Operacioni për kapjen e tij është zhvilluar në zonën e Palasës, ku forcat e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Nallbanit.

Ai akuzohet për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nallbani është një prej 12 personave që Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Në mesin e të pandehurve janë edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët ndodhen në arrati. Sipas SPAK, ata akuzohen se, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë përfituar miliona euro përmes mashtrimit me kontratën koncesionare për inceneratorin e Tiranës, i cili nuk u ndërtua kurrë.

Përveç Mërtirit dhe Zotos, nën akuzë janë edhe Dashamir Ymeraj, administratorët Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Ilir Dedja, Renardo Nallbani dhe gazetari Endrit Habilaj. Për gjykim janë dërguar gjithashtu dy drejtorët e emëruar të kompanisë së regjistruar në Holandë, Integrated Energy B.V., Marc Richard Lappat dhe Michael Peter Drujits, si dhe kompanitë Integrated Energy B.V. SPV dhe Integrated Technology Services.Sipas SPAK, të pandehurit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përvetësuar dhe pastruar rreth 99 milionë euro gjatë periudhës 2017-2023.

Nga hetimet ka rezultuar se kompania Integrated Energy B.V. SPV, e kontrolluar nga Mërtiri dhe Zoto, ka siguruar të ardhura në vlerën e rreth 11.3 miliardë lekëve, ose rreth 120 milionë euro, ndërsa për ndërtimin e objektit janë investuar vetëm rreth 21 milionë euro.

SPAK ka dokumentuar gjithashtu mekanizmin për nxjerrjen e rreth 30 milionë eurove nga llogaritë e kompanisë koncesionare, përmes faturave fiktive, mashtrimit dhe transferimit të parave jashtë vendit nëpërmjet kompanive të tjera.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, për realizimin e qëllimit kriminal të pastrimit të parave, si produkte të veprës penale të mashtrimit, Mërtiri dhe Zoto kanë vepruar në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Kontratat koncesionare parashikonin ndërtimin e impianteve për trajtimin e mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Dy inceneratorët e parë nuk funksionojnë, ndërsa inceneratori i Tiranës nuk u ndërtua asnjëherë.

Në kuadër të hetimeve për këtë aferë, gjykatat kanë dënuar tashmë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, si dhe një grup zyrtarësh të nivelit të dytë të përfshirë në procedurat e koncesioneve.

Pas gjashtë vitesh hetime, SPAK e ka ndarë dosjen e inceneratorëve në disa fraksione, të cilat janë dërguar veçmas për gjykim. Sipas Prokurorisë së Posaçme, fraksioni me numër 255/3 vijon të mbetet i hapur.