Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 21-vjeçarit Johan Zuko në Korçë.

Kristjan Sterjo, i dyshuar për krimin dhe i kapur rreth 6 orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, duke folur për konfliktin që dyshohet se i parapriu vrasjes.

Sipas dëshmisë së tij, përplasja me Zukon nuk kishte nisur ditën e ngjarjes, por lidhej me disa episode të mëparshme.

Një prej shkaqeve që po merret në konsideratë nga hetuesit është edhe një konflikt i lidhur me pretendimin se 21-vjeçari kishte ngacmuar të dashurën e Sterjos.

Sipas të dhënave të mbledhura deri tani, ata kishin pasur debate disa ditë para vrasjes, ndërsa mes tyre dyshohet se kishte pasur sharje, ngacmime dhe përplasje të vazhdueshme.

Një tjetër pistë e marrë në konsideratë lidhet me pretendimet se dy të rinjtë ishin konfliktuar për çështjen se kush konsiderohej “më i forti” në lagje.

Këto përplasje dyshohet se kanë rritur tensionin mes tyre deri në ngjarjen e rëndë.

Sipas dëshmisë së Sterjos, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe është nisur në ndjekje të 21-vjeçarit. Më pas, Johan Zuko është qëlluar me armë zjarri në shpinë, plagë e cila rezultoi fatale.

Pas ngjarjes, Sterjo u largua nga vendi dhe për rreth 6 orë iu shmang kontrolleve të policisë. Forcat e Policisë dhe RENEA zhvilluan kërkime në disa zona të Korçës, përfshirë edhe varrezat e qytetit, ku dyshohej se ishte drejtuar fillimisht.