Çelsi po përgatitet për një tjetër revolucion në afatin kalimtar të verës. Sipas raportimeve nga Anglia, klubi londinez është i gatshëm të dëgjojë oferta për plot 11 futbollistë, me objektivin për t’i arkëtuar afro 500 milionë funte nga shitjet e tyre.

Pas investimeve të mëdha në vitet e fundit, drejtuesit e “Bluve” synojnë t’i balancojnë financat dhe njëkohësisht t’ia japin trajnerit mundësinë për ta rindërtuar skuadrën sipas ideve të tij. Në mesin e lojtarëve që mund të largohen janë disa emra të njohur.

Mesfushori argjentinas Enco Fernandez vlerësohet rreth 120 milionë sterlina, ndërsa Pedro Neto mund të largohet për rreth 70 milionë. Sulmuesi Xhekson e ka një vlerësim prej rreth 65 milionë sterlinash, ndërsa në listën e largimeve figurojnë edhe Malo Gusto, Trevoh Çalobah, Benua Badiashile, Aksel Disasi, Liam Delap, Mark Guiu, Emanuel Emega dhe David Fofana.

Nëse Çelsi arrin t’i shesë të gjithë këta futbollistë për vlerat e synuara, klubi mund t’i arkëtojë afro 500 milionë sterlina, një shumë që do t’i krijonte hapësirë për afrime të reja dhe për t’i respektuar rregullat financiare.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse klubet e interesuara do të jenë të gatshme t’i paguajnë shumat e kërkuara nga Çelsi, pasi disa prej lojtarëve kanë kontrata afatgjata dhe paga të larta. Pas “pazarit” të bujshëm, drejtuesit e klubit londinez besojnë se skuadra është shumë e mbingarkuar.

Për këtë arsye, prioriteti tani është largimi i lojtarëve që nuk konsiderohen të paprekshëm në projektin e Alonsos. Nëse realizohen të gjitha shitjet e planifikuara, klubi londinez mund të sigurojë të ardhura deri në 500 milionë sterlina, të cilat do të përdoren për ta balancuar bilancin financiar dhe për investime të ardhshme.