Vijojnë punimet për restaurimin e mureve antike të zbuluara pranë shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës, si dhe rehabilitimi i zonës përreth.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bën të ditur se “zbulimet arkeologjike të vitit 2022 nxorën në dritë pjesë të sistemit fortifikues të qytetit antik, së bashku me struktura të tjera me vlera të veçanta, si puse dhe mbetje të një akuadukti romak, që dëshmojnë zhvillimin urban të Durrësit ndër shekuj”.
Ky projekt, është hartuar dhe financuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Investimi i IKTK-së synon ruajtjen dhe promovimin e këtyre strukturave arkeologjike, duke i integruar ato në hapësirën urbane si një pasuri e aksesueshme dhe e qëndrueshme për qytetarët dhe vizitorët.





