Vlera e borxhit të brendshëm të kompanive publike dhe private, të garantuara nga shteti shqiptar, është në rënie për të pestin vit radhazi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, borxhi i brendshëm i garantuar në mesin e 2026 zbriti në 7.59 miliardë lekë, në rënie me 11.5% që nga fillimi i vitit dhe me 44% krahasuar me një vit më parë.
Borxhi i brendshëm i garantuar nga qeveria shqiptare përbëhet në pjesën më të madhe nga huatë e garantuara për kompanitë publike të sektorit energjetik në vend. Vlera e këtyre kredive në mesin e këtij viti zbriti në 6.12 miliardë lekë, në rënie me 44% krahasuar me një vit më parë.
Arsyeja kryesore lidhet me rifinancimin e disa prej kredive të kompanive publike të sektorit energjetik te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Rrjedhimisht, edhe garancia për këto kredi është transferuar në favor të BERZH.
Kreditë në fjalë ishin marrë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë/Furnizuesi i Shërbimit Universal tek tre banka tregtare vendase. Bëhet fjalë për një kredi prej 20 milionë eurosh të marrë nga Tirana Bank, një kredi prej 10 milionë eurosh të marrë nga Banka Amerikane e Investimeve dhe pjesën dërrmuese të një kredie prej 16.4 milionë eurosh, të marrë në Raiffeisen Bank. Kreditë në fjalë janë rifinancuar me kushte më të favorshme nga BERZH dhe prej muajit korrik 2025 është bërë efektive garancia sovrane prej afërsisht 46 milionë eurosh në favor të saj. Në teori, rifinancimi i këtyre kredive jashtë vendit çliron më shumë fonde të lira për financimin e sektorit privat të ekonomisë.
Kreditë për kompanitë e sektorit energjetik kanë dominuar historikisht strukturën e garancive të brendshme të qeverisë shqiptare. Me gjithë zhvendosjen e një pjese të tyre drejt BERZH, ende huatë e mbetura të kompanive të sektorit energjetik përbëjnë 80% të totalit të garancive të brendshme të qeverisë shqiptare. Aktualisht, janë gjashtë kredi aktive të kompanive publike të sektorit energjetik, të marra nga tre banka tregtare vendase.
Në rënie të mëtejshme janë edhe borxhet e garantuara të ndërmarrjeve private. Sipas Ministrisë së Financave, garancitë sovrane në favor të bizneseve private në gjysmën e parë të këtij viti ranë më tej në 1.39 miliardë lekë, në tkurrje me 36% që nga fillimi i vitit dhe me 45.6% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Ky borxh u takon pesë skemave të garancisë sovrane për biznesin të miratuara nga qeveria shqiptare, përkatësisht garancia shtetërore për pagat, e miratuar në vitin 2020, garancia shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, po e vitit 2020, garancia shtetërore për financimin e subjekteve që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë, miratuar në vitin 2022, garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të industrisë përpunuese, miratuar në prill 2024 dhe garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të sektorit të bujqësisë, miratuar në korrik 2025.
Në pjesën më të madhe, ende borxhi i garantuar i takon skemës së dytë, asaj të garancisë shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, e vitit 2020. Borxhi i garantuar nga kjo skemë përbënte rreth 55% të garancive sovrane aktive për ndërmarrjet private.
Skemat e tjera të garancisë sovrane duket se kanë gjetur një përdorim të vogël nga bizneset, duke përfshirë edhe më të renë, për garantimin e kredive bankare të fermerëve.
Në mesin e këtij viti, shuma e shfrytëzuar nga skema në fjalë e garancisë sovrane ishte vetëm 579 milionë lekë. Kjo shumë përbënte vetëm 19% të vlerës totale të vendosur në dispozicion për këtë qëllim. /MONITOR

Burimi: Ministria e Financave





