Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymy Zelensky nga Beogradi, ku ndodhej për një vizitë pak ditë më parë, se qëndrimi i Kievit ndaj njohjes së Kosovës mbetej i pandryshuar.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, kryeministri kritikon zërat në Shqipëri dhe Kosovë, që sipas tij, kërkuan ndryshimin e qëndrimit ndaj Ukrainës për shkak të pozicionit të saj për Kosovën. Rama e cilëson si të gabuar idenë se mbështetja ndaj një vendi duhet të kushtëzohet nga qëndrimet e tij politike.
“Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos brohorasim më për lirinë dhe të mos vajtojmë më për ata që bombardohen. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan edhe ne pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë!”, shkroi ai.
Rama thotë se Shqipëria do të vijojë ta mbështesë Ukrainën në luftën kundër agresionit rus, duke shtuar se qëndrimi në mbrojtje të lirisë dhe paqes nuk është një marrëdhënie shkëmbimi mes dy vendeve.
Ai shton se Ukraina e ka gabim në lidhje me çështjen e Kosovës, por kjo, sipas tij, nuk e zbeh të drejtën e popullit ukrainas për të qenë i lirë.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Europën, edhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja.“, shton Rama.
Reagimi i Rames:
Miku im i dashur Volodymyr Zelensky ishte në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos brohorasim më për lirinë dhe të mos vajtojmë më për ata që bombardohen. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan edhe ne pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë!
Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi.
Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një nder që shkëmbehet me një nder, por është ajo që ti je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të trazuar. Dhe, për fat të mirë, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që bën hesapet se kush i detyrohet kujt, por Europa e Ballkanit, që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.
Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Europën, edhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja.
Prandaj, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.





