Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj listës me 10 libra të rekomanduar nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, për nxënësit gjatë periudhës së verës.

Zhupa ngre shqetësimin se në listë vetëm një prej veprave është nga një autor shqiptar, duke e cilësuar këtë një përfaqësim të pamjaftueshëm të letërsisë vendase.

Deputetja demokrate thekson gjithashtu vështirësitë me të cilat përballen sot autorët shqiptarë për t’u promovuar dhe për të gjetur lexues, ndërsa të rinjtë janë gjithnjë e më shumë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të huaja përmes rrjeteve sociale dhe platformave digjitale.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Nuk është normale që nga 10 libra që Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u rekomandon nxënësve për të lexuar gjatë verës, vetëm 1 të jetë nga një autor shqiptar.

“Kronikë në gur” e Kadaresë është një vepër e jashtëzakonshme, por letërsia shqiptare nuk mund të përfaqësohet me vetëm një titull në një listë prej 10 librash. Nëse duam të edukojmë një brez që lexon, që njeh gjuhën dhe kulturën e vet dhe që krijon lidhje me historinë e vendit të tij, atëherë autorët shqiptarë duhet të kenë një vend shumë më të rëndësishëm në rekomandimet e vetë ministres së arsimit.

Sot autorët shqiptarë përballen me vështirësi të mëdha për t’u promovuar dhe për të gjetur lexues, ndërsa të rinjtë janë gjithnjë e më shumë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të huaja në rrjetet sociale dhe platformat digjitale.

Dhe pikërisht për këto arsye por edhe për faktin se kemi autor dhe vepra të shkelqyera duhet promovuar librin shqip, duke krijuar hapësira për autorët vendas, duke i afruar ata me nxënësit dhe duke mbështetur botimin e letërsisë shqiptare.

Të rekomandosh libra të huaj është e dobishme, por të harrosh pothuajse tërësisht autorët shqiptarë është një sinjal i gabuar. Qëndrimet e ministres së arsimit nuk duhet vetëm t’i afrojnë fëmijët të lexojnë, por edhe t’i ndihmojë ata të njohin, të duan dhe të vlerësojnë kulturën dhe letërsinë e vendit të tyre.