Policia amerikane nuk ka gjetur deri tani prova për ndonjë vepër penale apo rrethana të dyshimta në lidhje me vdekjen e aktores Hayden Panettiere, e cila u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare.

Panettiere u gjet e pajetë të dielën, më 16 gusht, në Greenville të Karolinës së Jugut. Rreth orës 13:50, policia dhe shërbimet mjekësore morën një telefonatë për një grua të pavetëdijshme.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Policisë së Greenville, ekipet mbërritën në vendngjarje dhe i dhanë ndihmën mjekësore, por aktorja u shpall e vdekur aty.

“Hetimi paraprak nuk ka zbuluar ndonjë provë të krimit apo rrethana të dyshimta”, tha zëdhënësi.

Rasti po hetohet nga Departamenti i Policisë së Greenville në bashkëpunim me Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville. Policia bëri të ditur gjithashtu se telefonata në numrin e emergjencës 911 ishte bërë nga një person i njohur i Panettiere.

Autoritetet nuk kanë dhënë deri tani detaje të tjera për rrethanat e vdekjes dhe kanë bërë të ditur se hetimi vijon.

Vdekja u konfirmua nga familja

Lajmi për ndarjen nga jeta të aktores u konfirmua nga përfaqësuesi i saj, i cili publikoi një deklaratë në emër të babait të saj, Alan Panettiere.

Familja e përshkroi Hayden si “një dritë të jashtëzakonshme dhe një forcë të natyrës”, duke theksuar se ajo u kishte sjellë dashuri dhe gëzim njerëzve që e njihnin, si dhe miliona fansave që e kishin ndjekur në ekran.

Hayden Panettiere ishte e njohur për rolet e saj në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, si dhe në filmat e serisë “Scream”.