Policia e Durrësit ka dhënë detaje mbi aksidentin tragjik të ndodhur orët e para të mëngjesit në Manzë me pasojë 3 viktima e 2 të plagosur. Makina që drejtohej nga shtetasi K.V. 25 vjeç, pasi humbi kontrollin u përplas me një bordurë betoni.
Në mjet ndodheshin edhe 4 pasagjerë, dy prej të cilëve së bashku me drejtuesin humbën jetën, ndërsa dy të plagosur 16 dhe 25 vjeç janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. V., 25 vjeç, dhe pasagjerët, shtetasit S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç, kanë humbur jetën.
Pasagjerët e tjerë, shtetasit R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë dëmtuar dhe janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. K. D, ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.





