Dy aksidentet tragjike të ditëve të fundit në Durrës, që kanë shkaktuar 4 viktima duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për të gjithë drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar në timon.

Rritja e ndjeshme e numrit të mjeteve në qarkullim për shkak të sezonit turistik, ecja me shpejtësi tej normave të lejuara por edhe konsumimi i pijeve alkoolike apo lëndëve narkotike janë shpesh shkaqet kryesore të përgjakjes së akseve rrugore.

Vetëm gjatë muajit gusht, efektivët e Policisë Rrugore në Durrës kanë ndëshkuar 117 shoferë, të cilët drejtonin mjetin nën ndikimin e alkoolit, nga të cilët 25 raste po ndiqen penalisht në Prokurori. Po ashtu, nga kontrollet policore janë evidentuar raste të shoferëve nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Në akset kombëtare apo ato turistike, një pjesë e madhe e mjeteve në qarkullim i përkaasin emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime. Një pjesë e konsiderueshme të shkeljeve të Kodit Rrugor rezulton të jetë bërë pikërisht nga këta shtetas, prandaj apeli i shefit të Policisë Rrugore në Durrës Blerim Laçi shkon për këta drejtues mjetesh.

Nisur edhe nga fluksi i shtuar i mjeteve në qarkullim, disa prej akseve që të çojnë drejt zonave turistike mbeten segmentet më të rrezikshme në bashkinë e Durrësit.

Ndryshimet e bëra së fundimi në Kodin Rrugor, të cilat kanë hyrë në fuqi disa ditë më parë dhe parashikojnë ndëshkime më të rrepta për drejtuesit e padisiplinuar nuk dihet ende nëse do të reflektohen në uljen e numrit të aksidenteve dhe në një sjellje më të përgjegjshme në timon të shoferëve të rinj apo atyre me shumë vite eksperiencë mbi supe.

M.B.