Kryetari i degës së PD-së në Durrës, Adrian Gashi ka ngritur shqetësimin për gjendjen e stacioneve të linjës urbane Durrës-Plepa-Golem.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shprehet se në pjesën më të madhe të stacioneve mungojnë strehët dhe stolat, ndërsa qytetarët detyrohen të presin në këmbë pranë rrugës dhe trafikut.

Sipas tij, situata prek veçanërisht të moshuarit, gratë, fëmijët, nxënësit, punonjësit dhe turistët që përdorin këtë linjë çdo ditë.

Postimi i plotë;

Stacione vetëm në tabelë!

Kjo është gjendja reale e stacioneve të linjës urbane Durrës-Plepa-Golem, një nga akset më të frekuentuara të zonës.

Në pjesën më të madhe të tyre nuk ka as strehë dhe as stol. Ka vetëm një tabelë të vendosur buzë rrugës, shpesh pas barrierave metalike, pranë trafikut, mes mbeturinave dhe bimësisë së pakontrolluar.

Aty presin në këmbë çdo ditë të moshuar, gra, fëmijë, nxënës, punonjës dhe turistë , nën diellin përvëlues apo në shi, pa asnjë kusht minimal dhe pa siguri.

Edhe ato pak struktura që ekzistojnë janë të dëmtuara, të papastra dhe të rrethuara nga kazanët e mbeturinave. A mund të quhen këto stacione urbane?

Është e papranueshme që një aks që lidh Durrësin me Plepën dhe Golemin, një nga zonat më të rëndësishme turistike të vendit, të ofrojë këtë standard.

Transporti publik nuk është luks.�Një stacion i sigurt, i pastër, me strehë dhe ulëse, është minimumi që u detyrohet qytetarëve.

Qytetarët meritojnë stacione, jo vetëm tabela në anë të rrugës!

Durrësi meriton më shumë !