Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të kenë një tjetër derë të hapur për t’u rikthyer në tregun shqiptar të punës.
Projektligji i ri për nxitjen e punësimit zgjeron përkufizimin e punëkërkuesit duke përfshirë edhe shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë Shqipërisë. Kjo do t’u japë mundësi edhe pjesëtarëve të diasporës të përfshihen në shërbimet dhe programet e punësimit në vend. Por jo vetëm shqiptarët jashtë vendit janë në fokus.
Edhe të huajt që jetojnë ligjërisht në Shqipëri për qëllime punësimi do të kenë akses në shërbimet publike të punësimit, nga informacioni dhe orientimi profesional, te këshillimi dhe ndërmjetësimi për një vend pune. Synimi është edhe integrimi i fuqisë së huaj në tregun shqiptar dhe reduktimi i informalitetit.
Ndërkohë, shteti kërkon të kuptojë më mirë se çfarë po ndodh me vetë profesionet.
Projektligji parashikon krijimin e Observatorit të Tregut të Punës dhe Aftësive, një mekanizëm që do të mbledhë dhe analizojë të dhëna për kërkesën dhe ofertën për punë, profesionet në zhvillim dhe boshllëqet e aftësive.
Ky projektligj synon që politikat e punësimit të mos ndërtohen vetëm pasi problemi të shfaqet, por duke parë paraprakisht se cilat profesione po kërkohen, cilat po humbasin terren dhe çfarë aftësish do t’i duhen ekonomisë në vitet e ardhshme.
Nga ana tjetër, edhe për ata individë që rrezikojnë të humbasin punë është parashikuar një rregull shtesë. Ndonëse është ende në punë, por rrezikon ta humbasë atë, mund të përfshihet në programet aktive të tregut të punës. Ndryshimet parashikojnë orientim, këshillim dhe riaftësim për persona që rrezikojnë të mbeten pa punë për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike apo ristrukturimit të kompanive.
Në tremujorin e parë të këtij viti, papunësia në Shqipëri ishte 8.4%, ndërsa shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart ishte 58%.
Me këto risi synimi është që tregu i punës të mos reagojë vetëm kur dikush mbetet pa punë, por të identifikojë më herët nevojat e ekonomisë, të përgatisë punonjësit dhe të krijojë ura të reja mes atyre që kërkojnë punë dhe vendeve që kërkojnë njerëz.





