Përgjatë 5 ditëve të fundit të javës së kaluar, në pikën kufitare të portit të Durrësit kanë hyrë dhe kanë dalë 44.810 udhëtarë dhe 12.428 mjete.
Fluksi i udhëtarëve përgjatë këtyre ditëve ka qenë në dalje për shkak edhe të kthimit në vendet e punës të mijëra emigrantëve, që erdhën në atdhe për të kaluar pushimet verore.
Duket se ditët e fundjavës, respektivisht e shtuna dhe e diela kanë regjistruar pikun e hyrje-daljeve në këtë pikë kufitare.
Të shtunën janë përpunuar në port 11.145 pasagjerë dhe 3167 mjete, ndërsa të dielën 11.033 udhëtarë dhe 2543 makina.
Përgjatë gjithë dhjetëditëshit të fundit të muajit gusht, fluksi i lëvizjeve do të jetë i përqendruar në dalje të kësaj pike kufitare.
Gjatë 10 ditëve të para të muajit gusht, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit janë përpunuar gjithsej 75,962 pasagjerë, në hyrje dhe dalje të vendit.
Gjatë periudhës janar-korrik 2026, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit kanë udhëtuar gjithsej 349,423 pasagjerë.
Nga ky total, 160,795 pasagjerë janë nisur nga Porti i Durrësit drejt porteve të tjera, ndërsa 188,628 pasagjerë kanë mbërritur në vend përmes këtij terminali.
M.B.





