Temperaturat e larta të kësaj vere super të nxehtë, por edhe virozat e stinës janë shkaktarë të numrit në rritje të vizitave në urgjencën pediatrike të spitalit të Durrësit.

Sipas mjekes pediatre Griselda Toçi, fluksi i vizitave mund të ishte edhe më i lartë, por një pjesë e prindërve i drejtohen 5 qendrave shëndetësore verore, që funksionojnë përgjatë vijës bregdetare, për të marrë ndihmën e parë ose për t’u konsultuar me mjekët lidhur me diagnozën apo mjekimin e të vegjëlve të tyre.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një fluks më të shtuar të pacientëve të vegjël të paraqitur pranë Urgjencës Pediatrike dhe Shërbimit të Pediatrisë. Aktualisht, në 24 orë kemi 150-160 fëmijë në ditë, nga të cilët më pak se 10% e tyre kanë nevojë për hospitalizim. Kryesisht predominojnë infeksionet e traktit gastro-intestinal, me të vjella, diare, temperaturë të lartë. Paralelisht kemi edhe infeksionet e traktit respirator, të cilat kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm. Grupmoshat më të prekura dhe që përbëjnë frekuencën më të lartë të vizitave janë fëmijët nga 6 muajsh deri në moshën 5 vjeç”,- thotë pediatrja Toçi për “DurrësLajm”.

Bluzat e bardha bëjnë të ditur se në asnjë prej rasteve nuk ka pasur pacientë të vegjël me komplikacione të rrezikshme. Me ardhjen e muajit shtator dhe stinës së vjeshtës, shifrat e vizitave pritet të mbeten të larta për shkak edhe të prekjes nga virozat e stinës.

Për bluzat e bardha apeli drejtuar prindërve mbetet hidratimi i duhur i fëmijëve, sidomos në ditët super të nxehta, mos përdorimi i antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut si dhe kontakti i vazhdueshëm me mjekët në rastet e virozave që shfaqin komplikacione shëndetësore.

M.B.