Superjahti “Luminance” sapo është ankoruar mëngjesin e sotëm në kalatën nr.5, në portin e Durrësit.
“DurrësLajm” mëson se mjeti lundrues luksoz do të furnizohet me një sasi rekord karburanti. Të njëjtat burime saktësojnë se së shpejti pritet të nisë furnizimi i jahtit me 750 mijë litra karburant.
Miliarderi ukrainas Rinat Akhmetov është pronar i “Luminance”, superjahtit që ka një gjatësi prej 139 metra dhe është ndërtuar nga kompania gjermane Lürssen. Ai u dorëzuar në fillim të vitit 2024.
Pronësia e Akhmetovit u bë publike për herë të parë nga “The New York Times” në maj të vitit 2022, ndërkohë që anija ishte ende në fazën e ndërtimit.
Me një kosto të vlerësuar ndërtimi që i kalon 500 milionë dollarë, “Luminance” është një nga jahtet private më të mëdha dhe më të shtrenjta që lundrojnë aktualisht.
Jahti mund të mirëpresë deri 24 pasagjerë, ndërsa personeli i shërbimit është rreth 40 persona.
Në bordin e tij ndodhen 2 pishina, palestër, xhakuzi, SPA, por edhe dy platforma për uljen e helikopterëve.
Trupi i anijes është ndërtuar prej çeliku, ndërsa superstruktura është prej alumini. Mjeti lundrues super luksoz është në ngjyrë blu dhe argjend dhe mban flamurin e ishujve Kajman.
Akhmetov është njeriu më i pasur në Ukrainë, me një pasuri neto prej rreth 7,8 miliardë dollarë.
M.B.





