Këtë të enjte u mbajt protesta e 89-të në Tiranë, e organizuar nga aktivistë dhe qytetarë kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike në vend.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet: “Shqipëria kërkon revolucion”, ndërsa protestuesit u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.

Një aktiviste u ka bërë thirrje qytetarëve dhe protestuesve që të mblidhen ditën e nesërme përpara selisë së Partisë Socialiste, në kohën kur pritet të zhvillohet një mbledhje e kësaj force politike.

Përmes një mesazhi drejtuar opinionit publik, aktivistja kërkoi praninë e qytetarëve për të zhvilluar një protestë me mjete simbolike, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimmarrjeve të mazhorancës.

“Nesër në orën 17:30 PS mblidhet te selia për mbledhje. Të shkojmë atje me vezë dhe të protestojmë e t’u tregojmë se nuk na përfaqësojnë”, deklaroi ajo.

Pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas në akset kryesore të kryeqytetit.

Me pankarta në duar dhe nën thirrjet e njëpasnjëshme, qytetarët vijuan qëndresën e tyre, ndërsa gjatë marshimit u dëgjuan edhe thirrje si: “Ju erdhi fundi!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”.

Në momentin kur kanë kaluar përpara godinës së Parlamentit, protestuesit janë ndalur aty ku kanë brohoritur njëzëri “Parlament i krimit!”, duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj ligjvënësve.

Revoltës së turmës i është bashkuar edhe thirrja “140 deputetë, që të gjithë analfabetë!”, përmes së cilës protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj përfaqësimit dhe vendimmarrjes politike në Shqipëri.