Kosova vijon të mbetet në ngërç. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ato të Aleancës, janë mbledhur përsëri përpara godinës qeveritare me të njëjtat thirrje: Të formohen institucionet sa më parë.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, para mediave deklaroi se kur cenohet shteti dhe Kushtetuta, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve.
“Kur cenohet Kushtetuta dhe shteti i Kosovës, neve na keni përballë, sepse kemi edhe ne përgjegjësi, të mbrojmë Kushtetutën, shtetin. Mos ta ngatërrojnë durimin tonë me frikë, sepse bash hiç nuk frikësohemi, sepse kur protestojmë sot në mënyrë simbolike në numër më të vogël, nesër edhe në rrugë. Dhe sigurisht që ata të cilët e kanë marrë pushkën në dorë në kohën më të vështirë dhe e kanë hequr armikun shkullor nga Kosova, janë në mesin e PDK-së si dhe të Aleancës, dhe ata kanë pasur guxim edhe më të madh, besoj se kjo është punë më e vogël që e bëjmë për shtetin tonë”, tha Lushtaku.
Nga ana tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi tha se për dy vjet Kosova po përballet me mungesë të funksionimit të institucioneve, ku sipas saj, vendi për sfidat që po kalon, po kërkon zgjidhje.
“E ftoj edhe një herë Albin Kurtin që të mos bëjë hajgare me besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë me 53 deputetë. Të vijë në Kuvend, të krijojë institucionet dhe të vazhdojë me punën”, u shpreh ajo para mediave.
Afati i fundit për konstituimin e Kuvendit ishte 7 gushti. Kurti kërkoi më shumë kohë për të biseduar me partitë opozitare me qëllim arritjen e një marrëveshje për emrin e presidentit të ri, në mënyrë që të shmangeshin zgjedhjet e 4-ta që nga fillimi i vitit 2025. Përveç Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK) të drejtuar nga Lumir Abdixhiku, asnjë parti tjetër opozitare nuk e ka pranuar ftesën e Kurtit për bisedime. As me LDK nuk është arritur ende një marrëveshje.
Të dielën, mediat në Kosovë raportuan se Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar në parim për emrin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si kandidat për President. Deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga vetë Sejdiu, nga Kurti apo nga Abdixhiku, ndërsa edhe LVV-ja dhe LDK-ja nuk kanë bërë të ditur nëse është arritur një marrëveshje.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, rezultat që u dominua përsëri nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili mori 53 mandate. Rrjedhimisht ai ka nevojë për bashkim forcash me opozitën për t’i dhënë vendit presidentin e ti e për t’i dhënë fund krizës institucionale.
Duhen të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re. Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nevojitet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm.





