Lirimi i hapësirave publike në Durrës, më konkretisht i vendparkimeve që në lagje të ndryshme të qytetit zihen me barrierave dhe pengesa fizike nga vetë qytetarët, ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme.

Efektivët e kësaj policie ishin përqendruar në lagjen nr.4, në hapësirat publike pas dy qendrave tregtare.

Gjatë një prononcimi për mediat drejtori i Policisë Bashkiake, Flamur Gjuzi, deklaroi se janë evidentuar me qindra vendparkimi të zëna në 18 lagjet e qytetit, të cilat po u rikthehen rezidentëve.

Aksioni do të shtrihet në të gjitha hapësirat publike të qytetit dhe do të vijojë derisa të hiqet edhe barriera e fundit e vendosur në mënyrë të kundraligjshme.

“Policia Bashkiake Durrës ka ditë që ka filluar një aksion për lirimin e të gjithë hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundraligjshme nga qytetarët. Hapësirat publike janë për të gjithë, nuk janë për t’i zënë ato në mënyrë të kundraligjshme. Ky aksion aktualisht po bëhet në bashkëpunim me qytetarët, për t’i liruar këto në mënyrë vullnetare. Çdo veprim i joni dhe çdo heqje monitorohet edhe nëpërmjet videove dhe fotove, çka do të thotë që qytetarët nuk mund ta ripërsërisin më një veprim të tillë. Në rast se do të përsëritet Policia Bashkiake do të marrë masa administrative si dhe procedime penale në bashkëpunim me Policinë e Shtetit”.

Në një kohë që në rrugët ku vendparkimet do të kthehen me pagesë po vendoset sinjalistika horizontale dhe vertikale përkatëse, aksioni i Policisë Bashkiake po u rikthen rezidentëve qindra vende parkimi, që ziheshin në mënyrë të kundraligjshme. Me nisjen e aplikimit të pagesave në vendparkimet e zonës A dhe B, banorët e zonës pritet të pajisen me kartën e rezidentit, gjë që u garantojë parkim të sigurt pranë shtëpisë.

“Bashkia Durrës, përveç parkimeve me pagesë po bën edhe vendin e parkimeve për rezidentët. Policia Bashkiake ka evidentuar qindra të tilla, ia ka referuar bashkisë dhe besoj se në ditët në vijim bashkia Durrës do të dalë me vendimin përkatës për rezidentët e pallateve, që do të kenë vendet e tyre të parkimit”.

Në qytetin e Durrësit, parkimi i automjetit është një problematikë që vijon prej vitesh, nisur kjo nga shtimi i ndjeshëm i numrit të mjeteve në pronësi të qytetarëve dhe reduktimi i shumë vendeve të parkimit në rrugët kryesore të qytetit bregdetar.

M.B.