Kreu i degës së PD Durrës, Adrian Gashi, ka reaguar publikisht kundër projektit TID Durrës, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tij dhe duke akuzuar institucionet për mosdëgjim të zërit të banorëve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Gashi shprehet se ka qenë kundër këtij projekti që në ditën e parë, duke argumentuar se ai prek pronat, banesat dhe historinë e qytetit të Durrësit.
“TID Durrës duhet të ndalet menjëherë! Nuk ka më asnjë justifikim!
Që në ditën e parë kemi qenë kundër projektit TID Durrës, një projekt që kërkohet t’u imponohet durrsakëve pa dëgjuar zërin e tyre, duke cenuar pronën, shtëpitë dhe historinë e këtij qyteti.
Kemi qenë krah banorëve në çdo protestë dhe në çdo përballje të tyre për të mbrojtur pronën. Rezistenca e qytetarëve ka bërë që procesi të ndalet disa herë. Sot, ata vazhdojnë betejën edhe institucionalisht dhe ligjërisht.
Institucionet nuk mund të anashkalojnë faktin se më 30 korrik vetë qeveria shfuqizoi VKM-në që shpallte një pjesë të Durrësit “Zonë të Re për Zhvillim”. Ky projekt duhet të ndalet, jo të përjashtohen vetëm 20 banesa nga 74 që prek projekti.
Zhvillimi i Durrësit nuk mund të bëhet kundër durrsakëve. Nuk mund të quhet zhvillim një projekt që i detyron qytetarët të dalin në rrugë për të mbrojtur shtëpitë e tyre.
TID Durrës duhet të ndalet!”, shkruan ai.





