Ndërsa viti i ri shkollor është në prag, në bashkinë Durrës ka institucione arsimore, që janë ende në proces rikonstruksioni dhe rindërtimi e për pasojë nuk do të hapin dyert më 14 shtator.

Një prej tyre është shkolla 9 vjeçare “Bajram Curri”, në të cilën vijojnë punimet e rikonstruksionit. Ndërkohë, në Ishëm, shkolla “Rexhep Mezini” është bërë gati dhe pas 10 ditësh do të hapë dyert për nxënësit dhe stafin pedagogjik na bën të ditur drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore, Amarilda Thërmija.

Për të shtatin vit radhazi, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” do t’i ndjekin mësimet në shkollën pritëse “Marie Kaçulini”. Shkolla e cila u shemb pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe në themelet e të cilës u zbulua një sit shumë i rëndësishëm arkeologjik, të cilin e ka mbuluar bari tashmë, pritet të nisë së shpejti të rindërtohet.

Risia për këtë vit është programi “Pas shkolle”, që do të nisë të aplikohet në 26 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë Durrës. Në programin jashtëshkollor, regjistrimi i nxënësve do të bëhet nga vetë prindërit në platformën digjitale SMIP.

Mësuesit që do të angazhohen në këtë program jashtëshkollor do të jenë nga stafi pedagogjik, do të përzgjidhen nga portali “Mësues për Shqipërinë” ose nga ish-mësues që kanë dalë në pension.

Në krahasim me vitin e kaluar shkollor, vihet re një tendencë e moderuar e ndryshimit të numrit të nxënësve, e cila është reflektuar në organizimin e disa klasave në arsimin fillor dhe atë të mesëm.

Në të gjitha institucionet arsimore të ciklit parauniversitar vijojnë rregullimet e fundit për mirëmbajtjen e ambienteve, ndërkohë që është përmbyllur procesi i higjenizimit dhe dezinfektimit dhe ka nisur procesi i shpërndarjes së teksteve dhe vendosjes së sinjalistikës rrugore jashtë mjediseve shkollore.

M.B.